Një aksident i rëndë është regjistruar gjatë natës në Kukës, në afërsi të ish-“Turizmit të Ri”, ku një automjet tip “Benz” me targa AA 428 CT është gjetur i sharruar në gjysmë pas një përplasjeje të fuqishme. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një mjet të copëtuar dhe një shtyllë ndriçimi të rrëzuar, ndërsa autori është larguar menjëherë pas ngjarjes, duke mos dhënë asnjë njoftim.

 

Sipas të dhënave paraprake, makina e dëmtuar dyshohet se ka qenë e parkuar në momentin e përplasjes, ndërsa goditja ka qenë aq e fortë sa e ka zhvendosur mbi 50 metra nga pozicioni fillestar. Megjithatë, policia nuk është njoftuar gjatë natës, dhe është informuar vetëm në mëngjes nga kalimtarë të rastësishëm që panë automjetin e shkatërruar.

 

Ende nuk dihet nëse në momentin e përplasjes brenda automjetit ka pasur persona, ndërsa mjeti që shkaktoi aksidentin nuk është identifikuar.

 

Ngjarja ka ngritur shqetësime të thella për sigurinë rrugore në Kukës, ku banorët raportojnë se rrugët e qytetit shndërrohen çdo natë në pista garash nga grupe të të rinjve që testojnë shpejtësinë, shpesh pa kontroll, pa rregulla dhe pa ndërhyrje të policisë.

 

Burime lokale pohojnë se vetëm gjatë dy muajve të fundit janë shënuar tre aksidente të rënda në këtë zonë, por mungesa e patrullave të policisë dhe toleranca ndaj sjelljeve të rrezikshme po e kthejnë Kukësin në një qytet ku rreziku i aksidenteve rritet nga dita në ditë.

 

Ndërsa autoritetet heshtin, qytetarët kërkojnë masa urgjente për të rikthyer sigurinë në rrugë dhe për t’i dhënë fund lojërave të rrezikshme me jetë njerëzish.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu