
Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin kombëtar Prrenjas–Qafë Thanë ku është përfshirë autobuzi që transportonte ekipin e femrave të volejbollit të Skënderbeut të Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, autobuzi ka dalë nga rruga, ndërsa dy autovetura janë përplasur mes tyre dhe kanë pësuar dëmtime të mëdha.
Vajzat korçare udhëtonin drejt kryeqytetit ku sot në orën 17:00 në sallën sportive të Farkës ishte planifikuar sfida e dytë mes Tiranës dhe Skënderbeut. Duket se dueli në parket vjen në plan të dytë dhe ai do shtyhet për një tjetër datë, pasi disa nga volejbollistet kanë pësuar lëndime të lehta dhe janë frikësuar, duke mos qenë në gjendje për aktivitetin sportiv.
Pas përplasjes në rrugë, autobusi i skuadrës së Skënderbeut është dëmtuar dhe ka përfunduar jashtë karrexhatës. Për fat nuk ka asnjë lëndim serioz për volejbollistet dhe stafin.
Pritet që edhe Federata Shqiptare e Volejbollit të konfirmojë shtyrjen e ndeshjes./shqiptarja