
Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Levan–Tepelenë, në vendin e njohur si kryqëzimi i Cakranit, ku janë përplasur dy automjete, një Mercedes dhe një Peugeot.
Si pasojë e përplasjes së fortë, ka humbur jetën gjatë transportimit për në spital drejtuesi i mjetit Peugeot, shtetasi O. M., rreth 16 vjeç. Drejtuesi i automjetit tjetër, Mercedes, ka pësuar dëmtime të lehta dhe është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë, ambulanca dhe një mjet zjarrfikës, për të dhënë ndihmën e nevojshme dhe për normalizimin e qarkullimit rrugor. Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Njoftimi i Policisë
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan–Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M., rreth 16 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, shtetasi O. M. ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.




