Në datën 4 janar 2025 do të nisë aplikimi i tarifës së rrugës në segmentin e Korridorit Blu, Thumanë- Kashar. Njoftimi është bërë zyrtarisht nga shoqëria koncesionare “G2-INFRA”.
“Ky aks i ri ofron një përvojë udhëtimi më të sigurt, më të shpejtë dhe përbën një nga arteriet më të rëndësishme infrastrukturore të Shqipërisë”, njofton kompania koncesionare.
Kalimi në këtë rrugë do të jetë me pagesë, vlera e të cilës do të varet nga lloji i mjetit, por që nuk do të jetë më poshtë se 2.1 euro.
Thumanë- Kashar është i aks i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometra në orë dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun sidomos në sezonin turistik, për shkak të fluksit të turistëve që vijnë nga Rinasi.
Aksi Thumanë- Kashar është një nga më të rëndësishmit e “Korridorit Blu” që lidh veriun me jugun, me vlerë totale 226 milionë euro, kurse në 35 vitet e kohëzgjatjes së kontratës.
Nga viti 2024 deri në vitin 2031 kompania private fitimin e ka të garantuar, pasi është parashikuar që në rast se do të ketë një rënie të nivelit të të ardhurave, buxheti i shtetit do subvencionojë humbjen dhe nga buxheti i shtetit janë vënë në dispozicion 22.8 milionë euro garanci.
Aksi rrugor Thumanë- Kashar, prej 21 kilometrash, autostradë e kategorisë A të Bashkimit Evropian, segmenti i parë i Korridorit Blu, që i paraprin kantiereve të reja Thumanë – Milot, Kashar – Lekaj, Lekaj – Fier, dhe Milot – Balldren u hap për qarkullim në fund të muajit qershor.
Thumanë-Kashar, është aksi i dytë në vend pas atij të rrugës së Kombit, që bëhet me pagesë. Po ashtu me pagesë do të jetë edhe kalimi edhe në tunelin e Llogarasë, si dhe në Rrugën e Arbrit pas përfundimit plotësisht.
/rtsh.al/