Udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka pranuar për herë të parë publikisht se mijëra persona janë vrarë gjatë protestave të fundit në vend, disa prej tyre “në mënyrë çnjerëzore dhe barbare”.

Në një fjalim të mbajtur të shtunën, Khamenei konfirmoi shkallën e lartë të dhunës, ndërsa përgjegjësinë për vdekjet ia atribuoi Shteteve të Bashkuara, duke i cilësuar protestat si të nxitura nga armiqtë e Iranit.

Sipas Agjencisë së Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA), me bazë në SHBA, të paktën 3.090 persona kanë humbur jetën si pasojë e reagimit të dhunshëm të forcave të sigurisë. Grupi të tjera aktiviste flasin për shifra edhe më të larta, por bllokimi pothuajse total i internetit e ka bërë shumë të vështirë verifikimin e të dhënave.

Protestat shpërthyen më 28 dhjetor, fillimisht për arsye ekonomike, por shumë shpejt u shndërruan në thirrje të hapura për rrëzimin e regjimit dhe përfundimin e sundimit të liderit suprem.

Autoritetet iraniane i kanë cilësuar demonstratat si “trazira”, të organizuara dhe të mbështetura nga armiqtë e jashtëm të vendit. Megjithatë, BBC Persian dhe BBC Verify kanë verifikuar pamje autentike, ku shihen forcat e sigurisë duke qëlluar me armë zjarri ndaj protestuesve.

Situata në terren mbetet e paqartë për shkak të ndërprerjes masive të internetit dhe komunikimeve. Sipas organizatës NetBlocks, të shtunën niveli i lidhjes në internet ishte vetëm rreth 2% e normales.

Një grua nga Shirazi i tha BBC Persian se forcat e sigurisë vijojnë patrullimet me motorë, por se situata duket se është qetësuar pjesërisht në ditët e fundit.

Gjatë fjalimit të tij, Khamenei e cilësoi presidentin amerikan Donald Trump si “kriminel” dhe deklaroi se SHBA-ja duhet të mbajë përgjegjësi për trazirat në Iran, duke shtuar se “qëllimi i Amerikës është të gëlltisë Iranin”.

Nga ana tjetër, Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi se ka marrë informacione se Irani po shqyrton mundësinë e goditjes së bazave amerikane, duke paralajmëruar një reagim “shumë, shumë të fuqishëm” në rast sulmi.

Presidenti Trump ka deklaruar më herët se i është thënë se “vrasjet në Iran kanë ndaluar”, por ka theksuar se nuk e ka përjashtuar ndërhyrjen ushtarake. Komentet e tij vijnë pas reduktimit të personelit amerikan dhe britanik në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, masë që zyrtarët e cilësuan si parandaluese.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu