“Vdekja e Web-it: 1989–2025” – me këtë titull simbolik, revista prestigjioze The Economist ka publikuar më 14 korrik një analizë të thelluar mbi mënyrën se si inteligjenca artificiale po përmbys themelet mbi të cilat është ndërtuar interneti modern.

Sipas artikullit, në fillim të vitit të kaluar, drejtues të mediave të mëdha i janë drejtuar me shqetësim Matthew Prince, drejtuesit ekzekutiv të Cloudflare – një nga kompanitë që mbështet rreth 20 për qind të infrastrukturës së web-it – duke ngritur alarmin për një kërcënim të ri. Jo nga hakerë apo shtete armike, por nga AI.

Që prej krijimit të internetit, modeli ekonomik i tij ka qenë i thjeshtë: përdoruesit përfitojnë përmbajtje falas, ndërsa krijuesit shpërblehen përmes reklamave dhe trafikut. Por me shpërthimin e platformave si ChatGPT dhe teknologjive të ngjashme, kjo marrëveshje po cënohet rëndë. Inteligjenca artificiale mbledh dhe përpunon përmbajtjen nga faqet e internetit, pa u ofruar shpërblim apo trafik burimeve origjinale.

Si pasojë, platformat mediatike, krijuesit e përmbajtjes dhe portalet informative po shohin rënien drastike të të ardhurave, ndërkohë që përmbajtja e tyre përdoret për të ndërtuar modele AI që konkurojnë vetë prodhuesit.

The Economist e sheh këtë si një krizë strukturore për vetë ekonominë e internetit – një sistem që bazohet mbi balancën mes shpërndarjes së lirë të informacionit dhe përfitimit të drejtë për krijuesit. Në mungesë të kësaj balance, ekziston rreziku që web-i siç e njohim të shndërrohet në një “burim të përvetësuar” nga modelet AI.

Revista sugjeron se e vetmja rrugëdalje janë ndërhyrjet ligjore, marrëveshjet për licencim të përmbajtjes dhe rishikimi i rolit të AI në ekosistemin dixhital. Por asgjë nuk është e thjeshtë. Ndërsa teknologjia përparon me ritme të shpejta, rregullatorët dhe industria përballen me sfidën se si të mbrojnë vlerën e përmbajtjes në një realitet të ri teknologjik.

Artikulli mbyllet me një pyetje thelbësore: A mund të mbijetojë interneti si një hapësirë ekonomike dhe kulturore e qëndrueshme në epokën e AI, apo jemi dëshmitarë të një transformimi pa kthim?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu