
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë deklarata të forta në emisionin “Çim Peka LIVE” në SYRI TV, ku ka komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me hetimet e SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Ahmetaj tha se hetimet ndaj Ballukut janë për një “tender të vogël supervizimi” dhe se nuk kanë lidhje me aferat e mëdha korruptive si inceneratorët apo tuneli i Llogarasë. Ai e quajti këtë proces “një lojë qesharake me drejtësinë”, duke nënvizuar se po shpërqendrohet vëmendja nga projektet ku, sipas tij, janë zhdukur miliona euro të parave publike.
> “Brenda SPAK ka akoma sherr për Belinda Ballukun. Dumani e ka hetuar për diplomën, tani e thërrasin për një tender supervizioni. Është tallje me drejtësinë dhe korrupsionin”, – tha Ahmetaj.
Sipas tij, hetimet po kryhen në mënyrë selektive dhe me qëllime politike, ndërsa projektet më të mëdha si Thumanë-Kashar apo ato të energjisë mbeten të paprekura. Ai shtoi se kryeministri Edi Rama “nuk e pengon” SPAK-un të hetojë, por se drejtësia po përdoret për të krijuar përshtypjen e luftës kundër korrupsionit, ndërsa rastet e vërteta, sipas tij, mbulohen.
> “Nuk e pengon Rama Altin Dumanin, por Dumani nuk ka marrë urdhër. Po ta hetojnë Ballukun për tunelin apo për energjinë, mban erë. Ndaj e çojnë në SPAK për tenderin 2 milionësh, jo për 190 milionëshin. Kjo është lojë qesharake, kush e ha e ha,” – shtoi ish-zv/kryeministri.
Ahmetaj u ndal edhe te arrestimi i ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, duke pretenduar se pas tij qëndron vetë Rama për të “mbyllur plagët e inceneratorëve”. Ai akuzoi SPAK-un dhe kreun e tij, Altin Dumani, për qëndrime të njëanshme dhe për zbatimin e urdhrave politike.
Deklaratat e Ahmetajt vijnë në një kohë kur emri i Belinda Ballukut është rikthyer në qendër të vëmendjes për shkak të hetimeve të SPAK dhe debateve brenda mazhorancës për mënyrën se si po trajtohen zyrtarët e lartë të qeverisë në raport me drejtësinë.







