
Një agjent i Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) ka qëlluar në këmbë një burrë në qytetin e Minneapolis, në një incident të ndodhur mes tensioneve të shtuara për zbatimin e ligjit të emigracionit, vetëm pak ditë pas vrasjes së një gruaje nga një agjent federal në të njëjtin qytet.
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), oficerët federalë kishin ndjekur fillimisht burrin me makinë, pasi dyshohej se ndodhej ilegalisht në SHBA dhe ishte shtetas i Venezuelës. Gjatë incidentit, ai u plagos në këmbë dhe u transportua në spital, ku autoritetet konfirmuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Edhe një agjent i ICE u shtrua në spital për shkak të lëndimeve.
DHS bëri të ditur se pas ndalimit të automjetit, burri doli nga makina dhe u përfshi në një përplasje fizike me një oficer. Sipas deklaratës zyrtare, dy persona të tjerë dolën nga një pallat aty pranë dhe dyshohet se sulmuan agjentin federal. “Duke pasur frikë për jetën dhe sigurinë e tij, ndërsa po sulmohej nga tre persona, oficeri qëlloi në vetëmbrojtje,” thuhet në reagimin e DHS, ku shtohet se dy nga të përfshirët janë arrestuar.
Policia e Minneapolis konfirmoi ngjarjen, ndërsa shefi i policisë, Brian O’Hara, deklaroi se incidenti i fundit ka shkaktuar përplasje të reja mes protestuesve dhe forcave të rendit. Ai tha se policët janë sulmuar me fishekzjarre, copa akulli dhe topa bore. FBI ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Qyteti i Minneapolis reagoi në rrjetin X duke bërë thirrje për qetësi: “E kuptojmë zemërimin, por u kërkojmë qytetarëve të qëndrojnë të qetë.” Autoritetet lokale përsëritën gjithashtu kërkesën që ICE të largohet menjëherë nga qyteti dhe shteti.
Ngjarja vjen pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good më 7 janar nga një agjent i ICE, një incident që ka nxitur protesta masive në Minneapolis dhe në disa qytete të tjera të SHBA-së. Autoritetet federale pretendojnë se agjenti veproi në vetëmbrojtje, ndërsa drejtuesit lokalë thonë se Good nuk përbënte rrezik dhe ndodhej në vendngjarje si vëzhguese ligjore e aktiviteteve të ICE.
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, akuzoi oficerët federalë për “krijim kaosi” në shtet, ndërsa Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i bëri thirrje presidentit Donald Trump të ndalë atë që e quajti “okupim” të shtetit nga forcat e ICE. Sipas autoriteteve, rreth 3 mijë oficerë federalë janë dislokuar në Minesota javët e fundit.






