Një burrë është qëlluar për vdekje nga agjentë federalë të emigracionit në Minneapolis, duke shënuar rastin e dytë fatal këtë muaj gjatë intensifikimit të operacioneve të zbatimit të ligjit për emigracionin në këtë qytet të SHBA-së.

Sipas Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, agjentët e Patrullës Kufitare hapën zjarr në vetëmbrojtje pasi burri u ishte afruar me një armë zjarri dhe dy karikatorë. Shefi i Policisë së Minneapolis, Brian O’Hara, deklaroi se viktima ishte 37 vjeç, banor i qytetit dhe besohej të ishte shtetas amerikan. Emri i tij nuk u bë publik, ndërsa u theksua se ai ishte posedues i ligjshëm i armës dhe pa precedentë penalë.

Pamje video të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë persona me maska dhe jelekë taktikë që përplasen me burrin në një rrugë të mbuluar me borë, përpara se të dëgjohen të shtëna. Më pas, agjentët e emigracionit përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e qytetarëve që u mblodhën në vendngjarje.

Reagime të forta politike
Kryebashkiaku i Minneapolis, Jacob Frey, kërkoi ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve federale të emigracionit në shtet, duke ngritur pyetjen se sa jetë të tjera duhet të humbasin që këto veprime të ndalen. Edhe guvernatori i Minesotës, si dhe dy senatorë amerikanë, i kërkuan qeverisë federale të tërheqë agjentët.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Donald Trump është informuar për ngjarjen. Policia lokale e cilësoi situatën “tejet të tensionuar” dhe u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonën, ndërsa Instituti i Artit i Minneapolis mbylli dyert për arsye sigurie.

Ngjarja vjen një ditë pasi mbi 10 mijë persona protestuan në kushte të acarta kundër pranisë së rreth 3 mijë agjentëve federalë të dërguar në Minesota. Banorët janë shprehur të indinjuar edhe nga incidente të tjera të fundit, përfshirë vrasjen e një shtetaseje amerikane, ndalime të qytetarëve amerikanë dhe arrestimin e fëmijëve gjatë operacioneve të emigracionit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu