Aeroporti Ndërkombëtar të Tiranës, i cili është sot më i madhi në rajon për numër pasagjerësh, po transformohet edhe në një ndër më të bukurit e Europës, falë projektit inovativ të arkitektit të famshëm italian, Marco Casamonti.

Një shesh i madh e i bukur këmbësorësh në hyrje-daljen e aeroportit, së bashku me një parkim të ri nëntokësor për mbi 1000 automjete, do të jenë në dispozicion të udhëtarëve e turistëve, të cilët e kanë bërë aeroportin tonë, kampionin e rajonit, me rritjen më të lartë mes aeroporteve të Europës, në vitet pas pandemisë.

Kryeministri Edi Rama ishte sot në aeroport ku u njoh nga arkitekti italian Marco Casamonti me punën e realizuar deri më tani.

“Ky është vetëm fillimi dhe do të zgjatohet për 500 metra deri tek kulla. Do të eleminojmë të gjitha parkingjet këtu pas dhe do të shkojë edhe 500 metra më tej me këtë mbulim. Tani do të na duhet të përfundojmë me xhamat dhe ndriçimin. Të kam dërguar dhe një video dhe gjatë natës ndriçohet e gjitha.  Do të përdorim këtë (fasada e jashtme) për të shkruar dhe për të treguar pamje nga Tirana. Tani mungojnë vetëm xhamat e kuq dhe ky shesh do të jetë flamuri i kuq shqiptar me një gjatësi gjysmë kilometri, me granit e mermer, e madhe, me një shqiponjë që lëviz.” – shpjegoi ai teksa dha detaje mbi parkingun e madh nëntokësor.

“Poshtë ka dy kate parking me një gjatësi thuajse 1 km dhe hyn direkt në terminal. Parkon brenda dhe shkon direkt në terminal. Parkimi ka 1000 vende. Të gjitha makinat do të shkojnë poshtë dhe këtu do jetë vetëm pedonale.” – u shpreh ai.

Më pas, arkitekti dhe grupi i punës shpjeguan disa nga veçoritë që do të ketë sheshi, arkitektura e të cilit do të ndërthuret me elementë kombëtarë.

“Sheshi do të jetë vetëm kuq e zi, flamuri shqiptar më  i madh i ndërtuar me pixel. Nga brenda do të ketë dhe objekte të mëdha e të vogla, ndërsa nga jashtë do të jetë një xhevahir. Ky do të jetë një shesh i mbuluar.  Unë dua që të ndërtoj aeroportin më të bukur të Europës.” – u shpreh arkitekti Casamonti, teksa cilësoi se edhe parkingu do të jetë i veshur në të njëjtën mënyrë, duke krijuar  një ndërtim i unifikuar.

Ndërkohë, Kryeministri Rama vlerësoi punën e bërë dhe u shpreh se aeroporti do të jetë ndër më të bukurit në Europë. “ I paparë. Do të jetë më i bukuri në Europë, por edhe fiton goxha hapësirë terminali.” – u shpreh Kryeministri.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu