Dy 15-vjeçarë australianë kanë çuar në Gjykatën e Lartë ligjin e ri që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin rrjetet sociale, duke pretenduar se masa shkel të drejtën e tyre për komunikim të lirë.

Sipas ligjit, që hyn në fuqi më 10 dhjetor, platforma si Meta, TikTok dhe YouTube duhet të bllokojnë krijimin e llogarive nga të miturit. Qeveria e justifikon ndalimin si mbrojtje ndaj përmbajtjeve të dëmshme, por adoleshentët Noah Jones dhe Macy Neyland thonë se ai cenon të drejtat e fëmijëve. “Nuk duhet të heshtemi. Është si 1984 dhe kjo më tremb”, tha Neyland.

Ministrja e Komunikimeve, Anika Wells, deklaroi se qeveria “nuk do të trembet” nga sfidat ligjore. Ndërkohë, Projekti për Lirinë Digjitale, që mbështet padinë paralajmëron se ndalimi dëmton sidomos grupet më të cenueshme të të rinjve, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, komunitetet indigjene dhe adoleshentët LGBTIQ+.

Grupi kërkon alternativa si edukimi digjital, verifikimi i moshës me më shumë mbrojtje të privatësisë dhe veçori të detyrueshme të përshtatshme për moshën. Jones e quajti ligjin “të përtuar”, duke shtuar se të rinjtë “duhen mbrojtur me masa sigurie, jo me heshtje”.

Mediat australiane raportojnë se edhe Google mund të sfidojë ligjin. Pavarësisht kundërshtimeve nga kompanitë teknologjike, sondazhet tregojnë se shumica e të rriturve në Australi e mbështesin masën, ndërsa disa ekspertë të shëndetit mendor paralajmërojnë se ndalimi mund t’i izolojë të rinjtë dhe t’i shtyjë drejt zonave më pak të kontrolluara të internetit.

/tvklan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu