Në këtë 28 Nëntor, ditë e flamurit, pavarësisë dhe krenarisë kombëtare, kujtohet gjithashtu lindja e komandantit legjendar Adem Jashari. Më 28 nëntor 1955, në Prekaz, lindi njeriu që u bë simboli i qëndresës së armatosur dhe i sakrificës për lirinë e Kosovës. Sot, ai do të kishte mbushur 70 vjet.

Me këtë rast, veteranë të luftës dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës zhvilluan homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Nën flamuj e pranë varrezave të familjes Jashari, u përkujtua jo vetëm ditëlindja e komandantit, por edhe trashëgimia e tij e pazëvendësueshme në historinë e re të kombit.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, theksoi se festat e nëntorit mbeten të paplota pa pjesëmarrjen e krerëve të UÇK-së, të cilët vijojnë të mbahen në Hagë.

“Ju urojmë festat e nëntorit, katër festat të cilat janë në këtë muaj. Festa e vitit 1444, ngritja e flamurit në Krujë nga Skënderbeu, shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari më 1955 dhe dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha Gucati.

Ai shtoi se festat janë të mangëta “sepse krerët e UÇK-së padrejtësisht po mbahen atje nga një gjykatë”, por shprehu shpresën se viti i ardhshëm do t’i gjejë të gjithë bashkë për t’i festuar në liri.

Adem Jashari mbetet një prej figurave më të mëdha të historisë shqiptare moderne. Sakrifica e tij dhe e familjes Jashari në mars të vitit 1998 u kthye në pikën e kthesës së rezistencës, duke bërë që Prekazi të shndërrohet në altar të lirisë së Kosovës.

Sot, në 70-vjetorin e lindjes së tij, emri i Adem Jasharit vazhdon të jetë simbol i guximit, qëndresës dhe bashkimit kombëtar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu