Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka shpallur fajtore ish-kryebashkiaken e Patosit, Rajmonda Balilaj, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Ajo u dënua me 2 vite burg por dënimi i është konvertuar në 2 vjet e 8 muaj shërbim prove me kusht që e pandehura gjatë periudhës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale.
Gjithashtu GJKKO ka vendosur heqjen e së drejtës për të pandehurën Rajmonda Balilaj për të ushtruar funksione publike për një kohë prej 5 (pesë) vjet, bazuar në nenin 35 paragrafi 2, të Kodit Penal.
Balilaj u akuzua se bashkë me disa vartës paracaktuan si fitues në dy tendera të njëjtën kompani, që rezultonte se përgjatë tre viteve kishte fituar 32 procedura prokurorimi të kësaj njësie vendore.
Vendimi i Gjykatës:
Rajmonda Balilaj shpallet fajtor për shkeljen e barazisë në tendera, dhe dënohet me 1 vit e 6 muaj burgim për secilën akuzë. Pas bashkimit të dënimeve, ajo merr një dënim të vetëm prej 2 vjetësh burgim.
Me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj ulet me 1/3, duke rezultuar në një dënim përfundimtar prej 1 vit e 4 muaj burgim.
Pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, me provë për 2 vjet e 8 muaj, në kushte që ajo të mos kryejë vepra të tjera penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës.
Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vjetësh.
Balilaj drejtoi Bashkinë e Patosit në 3 mandate në vitet 2011-2023 dhe më pas u promovua në pozicionin e Prefektes së Qarkut Fier, funksion nga i cili u pezullua me vendimin të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë në muajin mars te vitit 2024.
Bashkë me Balilajn GJKKO dënoi gjithashtu Anisa Petani, ish nënkryetare, Shkëlqim Beqiraj, ish-sekretar i Përgjithshëm, Enirjada Rizaj, ish anëtare e komisionit të ofertave në Bashkinë e Patosit, vartës të Balilajt.
Anisa Petani është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove.
Enirjada Rizaj është dënuar me 1 vit burg dhe dënimi i saj është konvertuar në 2 vjet shërbim prove.
Shkëlqim Beqiraj është dënuar me vit burg dhe dënimi i tij është konvertuar në 2 vjet shërbim prove./Euronews