
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe në kuadër të Javës së Qëndrueshmërisë 2026, organizuar nën kujdesin e Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, mori pjesë sot në panelin e nivelit të lartë “Korridoret e Energjisë për një të Ardhme të Qëndrueshme”.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi investimet e mëdha të realizuara nga Shqipëria gjatë dekadës së fundit në energjinë diellore dhe të erës, me objektivin që deri në fund të vitit 2028 vendi të arrijë sovranitet të plotë energjetik dhe të mos ketë më nevojë për importe.
Ai nënvizoi se Shqipëria prodhon aktualisht 100% të energjisë nga burime të rinovueshme, kryesisht hidrike, por vuri në dukje edhe varësinë nga kushtet klimatike. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye, qeveria ka ndërtuar një portofol të balancuar energjetik përmes investimeve në burime alternative, duke synuar stabilitet afatgjatë dhe pavarësi të plotë.
Në panel u theksua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit strategjik me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italinë, të cilin Kryeministri Rama e cilësoi si një partneritet vizionar me impakt rajonal dhe europian. Ky bashkëpunim synon jo vetëm garantimin e sigurisë energjetike në rajon, por edhe eksportin e energjisë së gjelbër drejt Bashkimit Europian përmes projekteve të mëdha ndërlidhëse, përfshirë kabllon nënujore me Italinë.
Kryeministri Rama bëri të ditur se ambicia e këtij partneriteti tripalësh është krijimi i një baze të madhe prodhimi energjie në Shqipëri, që synon të arrijë deri në 3 gigavat kapacitet, duke e shndërruar vendin në një furnizues të rëndësishëm të energjisë së gjelbër për tregun europian. Investimi total, sipas tij, kap shifra mbi një miliard euro.
Në diskutim u trajtua edhe roli i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në qeverisje. Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka arritur që 95% e shërbimeve publike t’i ofrojë online, duke eliminuar sportelet fizike dhe burokracinë. Ai bëri me dije se inteligjenca artificiale po përdoret tashmë për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian, si dhe për projekte të avancuara si prokurimi publik, me synimin për të rritur transparencën dhe efikasitetin.
Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama në Samitin e Javës së Qëndrueshmërisë 2026 u vlerësua si një tjetër dëshmi e rolit aktiv të Shqipërisë në tranzicionin energjetik, inovacionin teknologjik dhe integrimin europian.






