Në një intervistë për emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, diskutoi rëndësinë dhe sfidat e procesit të votimit të emigrantëve për zgjedhjet e 11 majit.
Ai shpjegoi si ky proces mund të ndikojë ndjeshëm rezultatin politik, madje edhe me një numër të kufizuar votash nga jashtë, duke theksuar se edhe disa dhjetëra vota mund të jenë vendimtare në qarqe të caktuara.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: A mund të ketë të njëjtën peshë vota e një emigranti që ndoshta nuk ka lindur fare në Shqipëri apo ka dekada që është larguar nga Shqipëria dhe një qytetar shqiptar në këndvështrimin tuaj?
Celibashi: Nuk doja të përgjigjesha për këtë. Ky proces tani ka filluar dhe ka argumenta pro dhe kundër. Një numër shumë i madh shtetesh ja kanë dhënë mundësinë votuesve nga jashtë të votojnë atje ku kanë vendbanimin. Diskutimi pastaj është se si vota e tyre do kthehet në rezultat.
Borakaj: Nëse numri i emigrantëve që do votojnë do jetë 50 mijë, mund ta ndryshojë situatën politike?
Celibashi: Edhe një numër më i kufizuar votuesish nga jashtë mund të ndryshojnë rezultatin në një qark të caktuar. Mund të qëlloj që në atë qark edhe 100 vota ta bëjnë diferencën. Një mandat të kaloj nga njëri krah te krahu tjetër.