
Në historinë e Kishës Katolike, konklavat kanë qenë procese që herë janë mbyllur me shpejtësi rekord, herë kanë zgjatur me vite.
Konklava më e shkurtër
Konklava më e shkurtër ndodhi natën midis 31 tetorit dhe 1 nëntorit 1503, pas vdekjes së Papa Pio III. Brenda vetëm 10 orësh, kardinalët zgjodhën Giulio II (Giuliano della Rovere), një nga papët më të njohur të Rilindjes, mbështetës i Michelangelo-s dhe Raffaello-s, themelues i Muzeve të Vatikanit dhe i Gvardës Zvicerane. Edhe në kohët moderne, dy konklavat e shekullit XXI kanë qenë ndër më të shpejtat: në vitin 2005, Benedikti XVI u zgjodh pas 26 orësh dhe katër votimesh, ndërsa në 2013, Papa Françesku u zgjodh në 36 orë dhe pesë votime.
Konklava më e gjatë
Konklava më e gjatë në histori ndodhi në Viterbo dhe zgjati më shumë se 31 muaj, nga 1 marsi 1271 deri më 1 shtator 1272. Mosmarrëveshjet politike dhe mungesa e konsensusit mes kardinalëve dhe princërve evropianë e shtynë pafund zgjedhjen e papës së ri. Ndërhyrja e Perandorit të Shenjtë Romak, Rodolfo I i Habsburgëve, ndihmoi në zgjedhjen e Teobaldo Visconti, që mori emrin Gregorio X. Pas kësaj përvoje, u vendos rregulli që konklavat të zhvilloheshin të mbyllura dhe nën mbikëqyrje të rreptë, për të shmangur ndërhyrjet nga jashtë.
Masat ekstreme në Viterbo
Për të përshpejtuar zgjedhjen, autoritetet vendase në Viterbo ulën racionet e ushqimit për kardinalët dhe madje hoqën çatinë e pallatit ku ata ishin mbledhur, duke i ekspozuar në shi dhe erë. Pikërisht nga kjo përvojë ekstreme lindi përdorimi i fjalës “konklavë” (nga latinishtja “cum clave”, që do të thotë “i mbyllur me çelës”).
Konklavat, përtej ceremonialit të tyre, janë pasqyrë e sfidave dhe ndryshimeve historike brenda Kishës Katolike.