
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar situatën e sigurisë në rajon dhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se prioritet kryesor mbetet siguria e qytetarëve shqiptarë që ndodhen në ato vende.
Rama u ndal edhe te spekulimet që kanë qarkulluar së fundmi për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Shqipërisë, duke i cilësuar këto raportime si thashetheme dhe dezinformim.
Sipas tij, qytetarët duhet të tregojnë kujdes dhe të informohen vetëm nga burime zyrtare për zhvillimet që lidhen me sigurinë.
Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe se aleanca ka treguar edhe në raste të tjera, si në Turqi, se është e gatshme të mbrojë çdo vend anëtar.
“Përsa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashethemesh dhe spekulimesh. Ndryshe nga vendet e tjera, tek ne burimi më i madh i dezinformimit shpesh është brenda vendit”, u shpreh Rama.
Ai bëri thirrje për qetësi dhe përgjegjësi në trajtimin e informacionit, duke theksuar se situata kërkon maturi dhe ndjekje të vazhdueshme të informacioneve zyrtare.



