Fondi i vyer i veprimtarisë letrare të shkrimtarit të madh Ismail Kadare do të ruhet në një pavion të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
Familjarët e shkrimtarit të madh kanë dorëzuar për ruajtje, administrim, restaurim dhe digjitalizim të gjithë koleksionin e tij letrar përfshirë dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara si dhe drafte fillestare të punimeve të tij duke përmbushur dhe amanetin e tij.
Kryeministria ka publikuar videon ku shfaqet edhe vajza e madhe e Kadaresë, Gresa.
“Ismailit në Paris para disa viteve i janë afruar plot institucione të huaja, qofshin franceze, Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht një pjesë të arshivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princetone në Neë York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë. Unë i thashë më vonë si e ke menduar, në diskutim mes ne të dyve. Çfarë do të bëhet me arkivën tënde, të marrim një vendim. Nuk di tha ç’të bëj sepse dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë në mënyrë subliminale vendosa me iniciativën t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total sepse është shumë e vështirë qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur, pashë në zyrën tuaj kodikët e Beratit, që prehen këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë, pranë kodikëve të Beratit”, tha ajo.
Mes dorëshkrimeve në stenda duket “Përbindëshi” dhe “Viti i mbrapshtë”.Po ashtu mësohet se janë dorëzuar pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, dhe “Mosmarrëveshja”. Po ashtu, janë dorëzuar edhe shtypshkrimet e veprave “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”.
Për shkrimtarin këto dorëshkrimeve kanë qenë të shenjta siç rrëfen në librin e kujtimeve “Kohë e pamjaftueshme” bashkëshortja Elena Kadare. Në të gjithë shtëpinë kishte blloqe me shënime dhe skica të veprave të mëdha, të cilat shpesh rrinin me vite derisa ktheheshin në romanet më të njohur dhe më të përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës.