Rusia, Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete të tjera kanë kryer këmbimin më të madh të të burgosurve që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Në mesin e tyre janë 16 persona, përfshirë gazetaren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, dhe atë të Wall Street Journal, që janë liruar nga burgjet ruse, pasi ishin dënuar apo akuzuar për akuza që ata i kanë mohuar. Në këmbim, në Rusi janë kthyer tetë rusë.

Përmes një deklarate, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se në mesin e të liruarve janë edhe ish-marinsi amerikan, Paul Whelan dhe aktivisti opozitar Vladimir Kara-Murza – me shtetësi ruse dhe britanike – të cilët po mbaheshin në Rusi.

yacht hotel sarande

“Ne kemi negociuar lirimin e 16 njerëzve nga Rusia, përshirë pesë gjermanë dhe shtatë shtetas rusë të cilët ishin të burgosur politikë në shtetin e tyre”, tha presidenti amerikan.

“U jam mirënjohës aleatëve tanë që na ndihmuan në negociatat e ndërlikuara për të arritur deri te ky rezultat, përfshirë Gjermaninë, Poloninë, Slloveninë, Norvegjinë dhe Turqinë”.

Biden tha se nuk do të ndalet deri në lirimin “e çdo amerikani që është i burgosur padrejtësisht apo që mbahet peng kudo në botë derisa të ribashkohet me familjen”.

Këmbimi masiv i të burgosurve mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera, që u krye më 1 gusht, vlerësohet të jetë këmbimi më i madh i këtij lloji që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.

Gazetarja e REL-it, Alsu Kurmasheva, – që ka shtetësi të dyfishtë, ruse dhe amerikane – u dënua në korrik nga një gjykatë ruse me gjashtë vjet e gjysmë burgim, për “përhapje të informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse. Ajo ishte ndaluar nga autoritetet ruse prej tetorit të vitit të kaluar, me arsyetimin se ka dështuar që të regjistrohet si “agjente e huaj”.

“Mirëpresim lajmin për lirimin e menjëhershëm dhe i jemi mirënjohës Qeverisë amerikane dhe të gjithë atyre që punuan pa ndalur për përfundimin e trajtimit të padrejtë të saj nga Rusia”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus.

“Alsuja u shënjestrua sepse është gazetare amerikane, e cila thjesht po tentonte të ndihmonte pjesëtarët e familjes së saj që janë brenda Rusisë. Ajo nuk bëri asgjë gabim dhe sigurisht nuk e meritoi trajtimin e padrejtë dhe ndarjen me forcë nga më të dashurit e saj dhe kolegët”, shtoi ai.

Presidenca turke, sipas Reuters, tha se 26 persona nga shtatë shtete të ndryshme – përfshirë SHBA-në dhe Rusinë – janë këmbyer në Ankara më 1 gusht.

Sipas Reuters, në deklaratën e Presidencës turke u tha se 26 persona shkuan në Ankara nga burgjet në Gjermani, Poloni, Slloveni, Norvegji dhe Bjellorusi.v

Spekulimet për këmbimin e të burgosurve u rritën ditëve të fundit pasi avokatët mbrojtës të disa të burgosurve të profilit të lartë, që mbahen në Rusi, thanë se nuk ishin në dijeni të vendndodhjes së klientëve të tyre, një situatë që rëndom ndodh kur të burgosurit zhvendosen. Në mesin e tyre përfshien Kara-Murza dhe aktivisti tjetër opozitar, Ilya Yashin.

Olga Karlova, avokate e ish-marinsit amerikan, Paul Whelan, tha më 31 korrik se ajo nuk e di se ku është klienti i saj dhe se autoritetet në burgun në rajonin Mordovia ku ai ishte i burgosur, i kanë injoruar kërkesat për të konfirmuar nëse ai ndodhet në burg.

Whelan, i cili vuajti një dënim me burgim prej 16 vjetësh për spiunazh, akuzë që ai dhe Uashingtoni e kanë mohuar, ishte një nga më se 10 shtetasit amerikanë që aktualisht mbahen nëpër burgjet ruse, të akuzuar ose të dënuar për akuza që variojnë nga posedimi i drogës dhe vjedhja e deri te tradhtia dhe spiunazhi.

Në shumë raste, akuzat kundër amerikanëve, të cilat përfshinin reporterin e Wall Street Journal, Evan Gershkovich, dhe redaktoren e Radios Evropa e Lirë, Alsu Kurmasheva, janë etiketuar nga punëdhënësit e tyre ose nga Qeveria amerikane si të sajuara ose të motivuara politikisht.

Disa nga dënimet tejkalojnë atë që ekspertët ligjorë thonë se do të ishte normale.

Më herët gjatë 1 gushtit, presidenti i REL-it, Capus, tha se gazetaria nuk është krim duke shprehur shpresën që të liroheshin gjithë të burgosurit politikë dhe gazetarët që po mbaheshin padrejtësisht.

“Tre gazetarëve të tjerë të Radios Evropa e Lirë që po mbahen padrejtësisht pas hekurave – dy në Bjellorusi dhe një në Krimenë e kontrolluar nga Rusia – u themi se nuk jeni të harruar. Radio Evropa e Lirë do të bëjë gjithçka në fuqinë e saj për të siguruar lirimin tuaj dhe për t’ju ribashkuar me familjet tuaja”, tha ai.

Vetëm disa orë pasi u zbulua zhdukja e Whelanit, avokati mbrojtës i Kara-Murzait, një shtetas i dyfishtë ruso-britanik, tha se atij nuk iu lejua të hynte në burgun e Omskut për të parë klientin e tij, i cili vitin e kaluar u dënua me 25 vjet burgim për tradhti dhe akuza të tjera.

Më 1 gusht, një grup avokatësh rusë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut të njohur si Pervy Otdel postuan një mesazh në Telegram duke vënë në dukje gjurmën e fluturimit të një aeroplani Antonov që më parë ishte përfshirë në këmbime të tjera të burgosurish.

“Një aeroplan An-148, i cili dyshohet se ishte përdorur për këmbimin e mëparshëm të të burgosurve politikë, u ngrit nga Kaliningradi në Moskë më 1 gusht”, tha Pervy Otdel.

Avioni, me numrin RA-61727, u nis më pas për në Moskë, tha grupi, gjë që “mund të tregojë se këmbimi i të burgosurve politikë ka ndodhur në kufirin me Poloninë”.

Të dhënat nga faqja e gjurmimit të fluturimeve Flightradar24, konfirmuan lëvizjet e avionit, ndërsa media ruse, Agenstvo, raportoi se disa avionë specialë të Qeverisë ruse ditët e fundit kanë udhëtuar drejt dhe nga rajonet ku gjenden burgjet në të cilat mbahen disidentët.

Ndërkohë, katër rusë të akuzuar ose burgosur në Shtetet e Bashkuara u zhdukën nga një bazë të dhënash e të burgosurve që operohet nga Byroja Federale e Burgjeve të SHBA.

Në mesin e këtyre katër të burgosurve është Vladislav Klyushin, një sipërmarrës TI i lidhur me Kremlinin që vuan një dënim shumëvjeçar për akuza për tregti të brendshme, dhe Aleksandr Vinnik, i cili kohët e fundit u deklarua fajtor për akuzat për pastrim parash dhe ka qenë i lirë në pritje të dënimit.

Këmbimi më i madh i të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë ndodhi në vitin 2010 dhe përfshinte gjithsej 14 persona.

Në atë këmbim, Shtetet e Bashkuara liruan 10 rusë, përfshirë edhe Anna Chapman.

Sergei Skripal, një oficer i inteligjencës ushtarake ruse i dënuar për spiunazh për Britaninë, ishte në mesin e katër personave të liruar nga Moska./REL

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu