Sipas dokumentit të dakordësuar mes PD dhe PS për të ashtuquajturën “votë diaspore”, qytetarët që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk gëzojnë regjistrim automatik në listën e zgjedhësve dhe do të duhet të regjistrohen nga e para për çdo palë zgjedhjeje. Se sa i lehtë apo i vështirë do të jetë regjistrimi, kjo do të caktohet nga një zyrë shumëpartiake pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të njohur si “rregullatori”.
Dy partitë kryesore politike shqiptare, Partia Socialiste në Pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë, duket se ranë dakord në bisedimet e zhvilluara pas dyerve të mbyllura për të lejuar votimin në distancë të shtetasve shqiptarë që banojnë jashtë Shqipërisë, por modalitetet e fitimit të të drejtës për të votuar në distancë janë të tilla që e bëjnë të vështirë ushtrimin real të votës nga emigrantët. Dokumenti i dakordësuar mes palëve i rrjedhur në media, tregon se, ndryshe nga shtetasit rezidentë, të cilët në sistemin ligjor shqiptar prej të gjitha kohërave gëzojnë automatikisht të drejtën e votës për nga cilësia e të qenit shtetas, emigrantët, nëse do të duan të hedhin votë në distancë dhe jo duke u paraqitur personalisht në Shqipëri, do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje.
“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit,” thuhet në projektligjin e propozuar për të cilën palët kanë rënë dakord në nivel ekspertësh ndërsa diskutimet në nivel politik vazhdojnë.
“Lista e zgjedhësve që votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje,” shkruhet më tej.
Emigrantët që vendosin të ushtrojnë të drejtën e votës në këtë mënyrë, paguajnë në mënyrë indirekte çrregjistrim automatik dhe humbje të së drejtës së votës si shtetas rezidentë. Projektligji duket se ka lënë pa përmendur nevojën për rikthimin e këtyre shtetasve te regjistri i votuesve rezidentë pas zgjedhjeve, nëse ata vendosin të rikthehen në atdhe ndonjëherë./birn