
Kryeministri Edi Rama ka publikuar të dhëna për 45 persona të ndaluar gjatë protestave të dhunshme në Tiranë, duke deklaruar se ata kanë precedentë penalë dhe nuk janë studentë. Në një komunikim publik, kreu i qeverisë akuzoi krimin e organizuar dhe forca të huaja për financimin e dhunës, ndërsa pretendoi se disa prej personave të përfshirë dyshohen për lidhje financiare me Iranin.
Rama deklaroi se informacionet që po bëhen publike janë pjesë e hetimeve për organizimin e protestave dhe përshkallëzimin e dhunës në kryeqytet.
“Këta nuk janë studentët. E kam thënë qysh në krye të herës, këta nuk janë studentët. Dhe tani është koha ditë pas dite, rast pas rasti që fjalia ‘këta nuk janë studentët’ të mbështetet nga fakte, të mbështetet nga dokumente”, tha kryeministri.
Gjatë komunikimit, ai paraqiti një listë me iniciale, mosha dhe të dhëna që, sipas tij, dokumentojnë precedentët penalë të personave të ndaluar.
Në listën e lexuar nga Rama përfshihen persona të moshave nga 17 deri në 57 vjeç, për të cilët ai përmendi vepra të ndryshme penale, përfshirë trafikimin dhe shitjen e narkotikëve, vjedhjen, dhunën në familje, falsifikimin e dokumenteve, kundërshtimin e policisë dhe mbajtjen pa leje të armëve.
Kryeministri përmendi edhe rastin e një 52-vjeçari me inicialet A.LL., për të cilin deklaroi se ishte dënuar me 23 vite burg për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje, si dhe ishte liruar në shkurt të vitit 2022.
Rama: Disa prej të ndaluarve dyshohen për financime nga Irani
Një nga akuzat më të forta të kryeministrit lidhej me financimin e protestave.
Rama pretendoi se disa prej personave të identifikuar nga policia dyshohen për marrje financimesh nga Irani.
Ai përmendi konkretisht personat me inicialet E.V., 45 vjeç, M.A., 32 vjeç, E.LL., 42 vjeç, dhe B.P., 39 vjeç.
Këto janë dyshime të paraqitura nga kryeministri dhe në komunikimin e tij nuk u publikuan prova financiare apo vendime gjyqësore që t’i vërtetojnë ato.
“Por në duart e Policisë së Shtetit janë edhe pjesëmarrësit apo më saktë një pjesë e pjesëmarrësve në këtë dhunë të financuar drejtpërdrejt nga krimi i organizuar dhe nga forca të huaja, nga para e ardhur nga jashtë”, deklaroi Rama.
Akuzat ndaj Antifa-s dhe Partisë Demokratike
Kryeministri përsëriti pretendimin se përshkallëzimi i protestave ishte përgatitur prej muajsh dhe se policia disponon të dhëna për futjen në Shqipëri të maskave dhe lëndëve eksplozive.
Ai akuzoi gjithashtu grupe që i lidhi me rrjetin Antifa për organizimin e dhunës në rrugët e Tiranës.
Në të njëjtën deklaratë, Rama akuzoi edhe Partinë Demokratike për përfshirje në përshkallëzimin e protestave, duke iu referuar ngjarjeve pranë Ministrisë së Arsimit.
Këto pretendime nuk u shoqëruan gjatë komunikimit me dokumente të publikuara që të mundësojnë verifikimin e pavarur të lidhjeve të pretenduara.
“Dhuna nuk është ide. Dhuna është krim”
Pavarësisht akuzave, Rama theksoi se qytetarët dhe studentët kanë të drejtë të protestojnë kundër qeverisë.
Ai bëri dallimin mes protestuesve paqësorë dhe personave që, sipas tij, janë përfshirë në akte dhune.
“Arsyet për të protestuar dhe për të kërkuar më shumë dhe më mirë, mund të jenë edhe të pafundme”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, gjatë protestave në Tiranë janë plagosur më shumë se dy punonjës policie për çdo protestues apo kalimtar të lënduar, ndërsa pretendoi se numri i pjesëmarrësve në kulmin e tubimeve të dhunshme kishte arritur në rreth 1.500 persona.
“Dhuna nuk është ide. Dhuna është krim. Dhuna është armik i demokracisë, është armik i lirisë, është armik i qetësisë, është armik i sigurisë”, deklaroi Rama.
Kryeministri paralajmëroi se qeveria do të publikojë edhe informacione të tjera për personat dhe grupet që, sipas tij, qëndrojnë pas dhunës së ditëve të fundit.
“Nesër do t’ju ekspozojmë të tjera gjëra”, përfundoi ai.






