
Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si televizionet kanë pasqyruar protestat e dhjetë ditëve të fundit në Shqipëri. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë akuzon një pjesë të mediave se kanë paraqitur protestuesit si viktima të dhunës policore, ndërsa kanë shënjestruar Policinë e Shtetit, e cila, sipas tij, ka treguar profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje përballë sulmeve.
“Ja pasqyra e turpit të ekraneve televizive, ku ‘studentët’ u bënë viktimat e një dhune shtazarake dhe Policia e Shtetit u bë monstra mizore që masakronte orë e minutë të reja e të rinj të pafajshëm”, shkruan Rama.
Kryeministri bën një krahasim mes bilancit të policëve të plagosur dhe protestuesve të lënduar në Shqipëri dhe vende të tjera europiane ku janë zhvilluar protesta të dhunshme.
Sipas tij, ndërsa në vendet e tjera demokratike numri i protestuesve të lënduar është më i lartë se ai i policëve të plagosur, në Tiranë raporti është i përmbysur.
Rama e përdor këtë krahasim për të argumentuar se Policia e Shtetit ka ruajtur vetëpërmbajtjen, pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj efektivëve. Në postim nuk jepen shifra konkrete që të mundësojnë verifikimin e këtij krahasimi.
“Policia e Shtetit ka qenë në lartësinë e detyrës, duke mos e lënë asnjëherë dhunën e pësuar që ta nxjerrë atë nga binarët e misionit të saj demokratik”, thekson kryeministri.
Akuza të forta ndaj mediave: Më fajtorë se ata që hedhin gurë
Rama akuzon televizionet se kanë krijuar një realitet të deformuar të protestave, duke i paraqitur ato si një lëvizje të gjerë studentore.
Sipas tij, turma e protestuesve ka arritur në kulmin e saj rreth 1.500 persona, ndërsa pretendon se pjesëmarrësit nuk përfaqësojnë problemet dhe kërkesat reale të studentëve dhe familjeve shqiptare.
Kryeministri përdor një gjuhë veçanërisht të ashpër ndaj drejtuesve dhe figurave televizive, duke ngritur akuza për të ardhura të padeklaruara, korrupsion dhe përfitime financiare.
Ai pretendon gjithashtu se gazetarët dhe kameramanët e terrenit trajtohen keq nga punëdhënësit e tyre, ndërsa në ekran, sipas tij, nxitet urrejtja dhe përplasja.
Rama shkon deri aty sa t’i konsiderojë disa përfaqësues të medias më përgjegjës për klimën e dhunës sesa personat që kanë sulmuar gjatë protestave.
Rama paralajmëron publikimin e identitetit të protestuesve të maskuar
Një tjetër pjesë e reagimit të kryeministrit lidhet me identitetin e personave që kanë marrë pjesë në protestat e dhunshme.
Rama shpjegon se fjalën “studentë” e ka vendosur në thonjëza, pasi pretendon se shumë prej personave të maskuar që kanë marrë pjesë në incidente nuk kanë lidhje me universitetet.
“Shumë shpejt do t’i shikoni me fytyrë e me fakte, plot prej heronjve të maskuar që terrorizuan popullin shqiptar me fantazmën e vitit ’97 dhe që s’kanë asnjë lidhje me Universitetin e me jetën studentore”, shkruan ai.
Kryeministri nuk jep në këtë postim identitete apo prova konkrete për pretendimin e tij.
Mesazhi për studentët: Sfidojeni qeverinë pa dhunë
Në përfundim, Rama bën një dallim mes protestuesve të përfshirë në akte dhune dhe studentëve që kërkojnë ndryshime përmes dialogut.
“Studentët e vërtetë janë ata që duan ta sfidojnë politikën dhe qeverinë pa ngritur dorën kundër pronës publike e private, po duke treguar me gisht plagët që kërkojnë shërim me dialog dhe angazhim të përbashkët”, përfundon kryeministri.
Reagimi vjen në një kohë kur protestat në vend kanë hyrë në ditën e dhjetë, ndërsa debati për përdorimin e forcës nga policia, dhunën e protestuesve dhe rolin e mediave vijon të jetë në qendër të përplasjes politike.






