
Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Budva të Malit të Zi, ku merr pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, një takim që bashkon drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe partnerët europianë për të diskutuar bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën e integrimit në Bashkimin Europian.
Mbërritjen e ka njoftuar vetë kreu i qeverisë shqiptare përmes një videoje të publikuar në Facebook.
“Budva, Mali i Zi – Mbërritja në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, për seancën plenare ‘Një rajon në lëvizje: Ballkani Perëndimor duke formësuar të ardhmen e përbashkët të Evropës’”, shkruan Rama.
Në mbërritjen e tij në samit së bashku me liderët e tjerë pjesëmarrës, Kryeministri Rama u shpreh:
“Në fakt i vetmi vend ku ke gjithmonë helikopter mbi kokë sa herë që vjen. Ndërkohë që ndjehem mirë që jemi këtu sërish për ‘’Procesin e Berlinit’’. Një ritual i përvitshëm këtë vit po zhvillohet në këtë vend të jashtëzakonshëm. Dhe çfarë duhet të them më shumë? Jam këtu dhe i lumtur të vazhdoj me miqtë që janë në pritje. Nuk e di me pyetje, ka pyetje? Mirë. Faleminderit shumë.”
Samiti zhvillohet më 22 tetor, ndërsa diskutimet përqendrohen te bashkëpunimi mes vendeve të rajonit, integrimi ekonomik dhe afrimi i Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian.
Pjesëmarrja e kryeministrit shqiptar në këtë takim vjen në një moment tensionesh politike në Shqipëri, ku protestat kanë hyrë në ditën e dhjetë.
Ndërkohë, në Tiranë, opozita ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme, ndërsa seanca parlamentare e së enjtes është shoqëruar me përplasje mes deputetëve.






