
Në fjalën e mbajtur më 21 tetor, kryeministri e cilësoi dhunën e ditëve të fundit në Tiranë si të organizuar, duke pretenduar se pas saj qëndrojnë elementë kriminalë, grupe ekstremiste dhe ndikime të huaja.
Sipas Ramës, protestat e dhunshme nuk përfaqësojnë studentët dhe qytetarët që kanë kërkesa legjitime për ndryshim.
Ai përmendi edhe dëmet e shkaktuara ndaj Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera financiare, duke theksuar se qeveria do të kërkojë kompensimin e tyre.
“Do të vijë fatura në familje”
Një nga masat më të forta të paralajmëruara lidhet me prindërit e të miturve që përfshihen në akte dhune.
“Do të vijë fatura në familje, do paguajë familja, nuk do marrë më asnjë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronën e tjetrit”, deklaroi Rama.
Kryeministri nuk sqaroi cilat shërbime shtetërore do të kufizohen, si do të zbatohen masat apo çfarë përjashtimesh do të parashikohen.
Ai tha se paketa shqiptare po përgatitet duke marrë parasysh masat e ndërmarra në Francë dhe Itali.
Regjistër për protestuesit e dhunshëm dhe kufizime udhëtimi
Rama paralajmëroi krijimin e një regjistri të veçantë për personat e përfshirë në dhunë.
“Do t’ju mbyllim shumë aksese nëpër aeroporte, nëpër hotele, nëpër trena, nëpër të gjitha mjetet e transportit”, tha kryeministri.
Ai shtoi se qeveria ka nisur bashkëpunimin me vende të Bashkimit Europian për kufizimin e hyrjes së personave që identifikohen si të dhunshëm.
Megjithatë, gjatë fjalimit nuk u paraqitën hollësi për bazën ligjore, kriteret e përfshirjes në regjistër apo procedurat e ankimit.
Identifikim me teknologji edhe për personat me maska
Kryeministri paralajmëroi se shteti do të investojë në teknologji për identifikimin e personave që marrin pjesë në akte dhune, edhe kur mbulojnë fytyrën.
“Do t’i zbulojmë ata që janë me kapuç, edhe sikur ta mbulojnë të gjithë fytyrën, sepse do t’i ndjekim këmba-këmbës përmes syve të teknologjisë”, deklaroi Rama.
Ai njoftoi gjithashtu synimin për të identifikuar personat që përdorin profile anonime në internet për të nxitur dhunë.
Sipas tij, paketa e re do të parashikojë edhe masa kundër pjesëmarrjes në tubime me fytyrë të mbuluar.
Qeveria premton të paguajë gjysmën e qirasë së studentëve
Krahas masave të sigurisë, Rama foli edhe për përgjigjen e qeverisë ndaj problemeve ekonomike të studentëve.
Ai njoftoi se qeveria ka miratuar për t’ia dërguar Parlamentit projektligjin e ri për strehimin social të përballueshëm.
Sipas kryeministrit, një nga masat parashikon mbulimin nga shteti të 50% të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret përkatëse.
“Qeveria do të futet për të paguar 50% të qerasë për të gjithë ata studentë të cilët i plotësojnë kushtet”, deklaroi ai.
Projektligji parashikon gjithashtu mbështetje për strehimin e çifteve të reja me kredi me interes zero dhe kredi me interes 3% për kategori të caktuara profesionistësh e të rinjsh, brenda kufijve të çmimeve që do të përcaktohen.
Këto masa janë ende pjesë e nismës ligjore dhe nuk duhet të konsiderohen përfitime që kanë hyrë tashmë në fuqi.
Rama: Pas dhunës ka edhe ndikim të huaj
Në analizën e tij për protestat, Rama pretendoi se dhuna është e lidhur me lëvizjen Antifa, grupe kriminale dhe interesa të huaja që synojnë destabilizimin e Shqipërisë.
Ai deklaroi gjithashtu se autoritetet kanë neutralizuar një sulm të mundshëm me dron dhe eksploziv ndaj Kryeministrisë.
Kryeministri nuk paraqiti gjatë takimit prova publike për këto pretendime.
Rama hodhi poshtë krahasimet me krizën e vitit 1997, duke siguruar drejtuesit e bankave se sistemi financiar është i qëndrueshëm dhe se situata është nën kontroll.
Ai këmbënguli se qeveria mbetet e hapur për dialog me studentët dhe protestuesit paqësorë, por paralajmëroi se personat që kanë dëmtuar pronën publike dhe private do të përballen me përgjegjësi.
“Ekonomia rritet me punë, nuk rritet me gurë”, përfundoi kryeministri.






