Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka premtuar se protestuesit që përballen me sanksione do të dëmshpërblehen plotësisht nga PD-ja dhe do të dekorohen për qëndresën e tyre. Në të njëjtën kohë, ai ka paralajmëruar ndëshkime të rënda për personat që, sipas pretendimeve të tij, vishen me uniforma policie kundrejt shpërblimit prej 2500 eurosh për të ndërhyrë ndaj protestuesve.

Deklaratat u bënë gjatë një takimi me drejtuesit politikë dhe kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, mbrëmjen e së martës, 20 tetor.

Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor shpërblimin prej 2500 eurosh për të nxitur dhunën ndaj studentëve dhe gjimnazistëve.

“Janë të paktën mbi 2000 patronazhistë, inspektorë të inspektoriateve të ndryshme në qarqe, që vishen me uniforma policie”, deklaroi ai, pa paraqitur prova që konfirmojnë këtë pretendim.

“Mos e shisni veten për 2500 euro, do t’ju dalë shumë më keq! Do ndëshkoheni, do ndëshkoheni shumë rëndë, më rëndë se të tjerët!”, paralajmëroi kreu i PD-së.

Ai u kërkoi degëve të partisë të identifikojnë dhe regjistrojnë personat që, sipas tij, po kryejnë detyra policore jashtë kompetencave ligjore.

Berisha premton dekorata dhe dëmshpërblim për protestuesit

Në një tjetër pjesë të fjalës së tij, Berisha premtoi se Partia Demokratike do të kompensojë financiarisht protestuesit për sanksionet që mund të marrin gjatë demonstratave.

“Për çdo lloj dënimi që ata marrin sot, do të dëmshpërblehen 100% nga Partia Demokratike nesër”, deklaroi ai.

Kreu demokrat shkoi edhe më tej, duke premtuar vlerësime për pjesëmarrësit në protesta.

“Do të dekorohen për qëndresën e tyre, do marrin vlerësimin që meritojnë”, tha Berisha.

Ai nuk sqaroi se me çfarë mekanizmi ligjor apo financiar do të realizoheshin këto premtime.

Avokatë falas dhe pikë mjekimi pranë PD-së

Berisha njoftoi gjithashtu se Partia Demokratike do të ofrojë asistencë juridike falas për protestuesit, përfshirë të miturit.

Sipas tij, do të krijohen mundësi për denoncimin e keqtrajtimeve dhe shkeljeve të të drejtave, ndërsa pranë selisë së PD-së do të ngrihet edhe një pikë mjekimi me mjekë dhe infermierë.

“Shtëpia e Partisë Demokratike është shtëpia e protestuesve. E hapur për ta plotësisht dhe në çdo rrethanë”, deklaroi ai.

Sulmet ndaj Ramës dhe vlerësimi për pedagogët

Gjatë takimit, Berisha falënderoi pedagogët që iu bashkuan protestës studentore, duke i cilësuar “intelektualë të vërtetë”.

Ai sulmoi ashpër kryeministrin Rama, ndërsa pretendoi se ky i fundit kishte ndërprerë takimin me përfaqësues të arsimit pasi kishte mësuar për komunikimin e akuzave ndaj Belinda Ballukut nga SPAK. Ky pretendim nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Berisha hodhi poshtë edhe përpjekjet për ta lidhur protestën e studentëve me lëvizjen Antifa, duke akuzuar qeverinë se po përpiqet ta paraqesë revoltën si një lëvizje ekstremiste.

Në përfundim, ai kërkoi mobilizimin maksimal të strukturave të PD-së për mbështetjen e protestave, duke deklaruar se opozita do të angazhojë burimet e saj njerëzore për të nxitur pjesëmarrjen e qytetarëve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu