
Kryeministri Edi Rama ka dalë me një tjetër paralajmërim për pjesëmarrësit në protestat e ditëve të fundit, duke deklaruar se edhe protestuesit që nuk distancohen nga personat që ushtrojnë dhunë do të përballen me pasoja financiare. Përmes një postimi në Facebook, kreu i qeverisë thekson se protesta është një e drejtë demokratike, ndërsa dhuna përbën krim. Ai përsërit gatishmërinë për dialog pa kushte, por përjashton dhunuesit dhe partitë politike që nuk distancohen nga dhuna.
“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik”, shkruan Rama.
Kryeministri u bën thirrje qytetarëve të tregojnë durim dhe të mos ndikohen nga ato që ai i cilëson si manipulime mediatike dhe në rrjetet sociale.
“Qytetarët duhet të bëjnë durim, e të mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike”, shprehet ai.
Paralajmërimi për protestuesit
Pjesa më e fortë e mesazhit të Ramës lidhet me përgjegjësinë financiare që, sipas tij, duhet të mbajnë edhe ata protestues që nuk distancohen nga aktet e dhunës.
“Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata”, paralajmëron kryeministri.
Ai shton se personat që kanë ushtruar dhunë do të përballen me pasojat e parashikuara nga ligji.
“Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre”, thekson Rama.
Në postim nuk jepen hollësi mbi mekanizmin ligjor për vendosjen e përgjegjësisë financiare ndaj protestuesve që nuk distancohen nga dhuna.
Dialog pa kushte, por jo me dhunuesit
Kreu i qeverisë përsërit se është i gatshëm të diskutojë me qytetarët për shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
“Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, përfundon Rama.
Deklarata vjen pas disa ditësh protestash të shoqëruara me tensione, përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.






