Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës në Tiranë, duke dënuar atë që e cilëson dhunë, intimidim dhe fyerje ndaj koleges deputete, Iris Luarasi.

Ismaili shkruan se i ka parë në mënyrë të përsëritur pamjet dhe e konsideron të patolerueshme që, në emër të lirisë dhe të së drejtës për të protestuar, të cenohen siguria dhe të drejtat e personave të tjerë.

“I kam parë në mënyrë të përsëritur pamjet e dhunës, intimidimit dhe fyerjeve ndaj kolegeve deputete nga të ashtuquajturit protestues”, shprehet ministrja.

Sipas saj, protesta nuk mund të shërbejë si justifikim për fyerjen apo intimidimin e të tjerëve.

“Është e patolerueshme që, në emër të lirisë dhe të së drejtës për të protestuar, të shkelet liria dhe e drejta e tjetrit për të qenë i sigurt, për të mos u fyer, denigruar apo intimiduar”, shkruan Ismaili.

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin ndalet edhe te qëndrimi i protestuesve se nuk ndihen të përfaqësuar, duke thënë se kjo është normale, por shton se nuk mund të përfaqësohen ata që, sipas saj, vendosin dhunën në qendër të gjuhës dhe veprimeve të tyre.

“Të mos ndihesh i përfaqësuar nga një grup është normale dhe, në fakt, s’ka se si të përfaqësojmë njerëz që kryefjalë të gjuhës dhe veprimeve të tyre kanë dhunën”, deklaron Ismaili.

Në fund të reagimit, ajo thekson se liria për të protestuar nuk mund të cenojë lirinë dhe sigurinë e të tjerëve.

“Në një shtet demokratik, liria e njërit mbaron aty ku fillon liria e tjetrit. Dhe dhuna nuk është liri, nuk është protestë dhe nuk mund të justifikohet si e tillë”, përfundon ministrja Erjona Ismaili.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu