Kryeministri Edi Rama ka ngritur alarmin për atë që e cilëson një ndërhyrje të organizuar në hapësirën digjitale shqiptare, përmes dhjetëra mijëra profileve të krijuara artificialisht, të cilat sipas tij përdoren për të përhapur narrativa dhe për të nxitur tensione.

Në një fragment të bashkëbisedimit me Rudina Xhungën në podcastin maratonë “Flasim Shqip”, të publikuar nga vetë Rama, kryeministri foli për ndikimin e teknologjisë dhe dezinformimit në protestat dhe debatin publik.

“Dhjetëra mijëra ushtarë të prodhuar në laboratorët e teknologjisë, me fytyra dhe me emra shqiptarë, sulmojnë hapësirën digjitale të vendit dhe krijojnë gjithë atë tension të madh”, deklaroi Rama.

Kryeministri tha se deri më tani ndërhyrje të tilla njiheshin kryesisht nga raportimet për vende të tjera, duke përmendur ndikimin në zgjedhje dhe përdorimin e hapësirës digjitale për nxitjen e revoltave.

“E kishim të dëgjuar se si bëhen interferencat në zgjedhje në vendet e tjera, se si bëhen interferencat për të nxitur revoltat”, u shpreh ai.

Sipas Ramës, fenomeni tashmë është i dukshëm edhe në Shqipëri dhe një pjesë e profileve që shfaqen në rrjetet sociale si persona realë nuk ekzistojnë.

“Ata nuk ekzistojnë, ata janë të krijuar në laborator dhe ata i japin narrativave të ndryshme”, tha kryeministri.

Rama nuk dha në këtë fragment të publikuar detaje se kush qëndron pas këtyre profileve, nga cilat vende operojnë apo të dhëna konkrete mbi mënyrën se si është përcaktuar numri i tyre.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu