
Protestat që po zhvillohen prej muajsh në Shqipëri kanë marrë vëmendjen e medias austriake “Kurier”, e cila i ka kushtuar një artikull ditës së 100-të të tubimeve në Tiranë.
Sipas medias austriake, protestuesit u mblodhën sërish në qendër të kryeqytetit, me pankarta ku shkruhej “Shqipëria nuk është në shitje!” dhe me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Kurier” e lidh nisjen e protestave me kundërshtimin ndaj projektit të planifikuar në zonën e Zvërnecit dhe Lagunës së Nartës, ndërsa thekson se më pas kërkesat e protestuesve u zgjeruan edhe në planin politik.
Në artikull përmendet edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa shkruhet se projekti parashikon hotele luksoze, komplekse vilash dhe ambiente argëtimi në Gjirin e Zvërnecit dhe në Ishullin e Sazanit.
Një pjesë e rëndësishme e shkrimit i kushtohet shqetësimeve të ambientalistëve për ndikimin e mundshëm në ekosistemin e zonës, përfshirë habitatet e flamingove dhe shpendëve të tjerë. Pikërisht përdorimi i figurave të flamingove nga protestuesit ka bërë që lëvizja të njihet në media si “Revolucioni i Flamingove”.
Media austriake vëren se pjesëmarrja është zvogëluar krahasuar me ditët e para, kur tubimet mblidhnin mijëra protestues, por protesta ka vijuar për 100 ditë radhazi.






