
Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka shënuar një fitore historike në zgjedhjet rajonale të Saksoni-Anhaltit, duke marrë 43.8% të votave dhe duke u afruar shumë pranë marrjes së pushtetit në këtë land të Gjermanisë lindore.
Sipas rezultateve paraprake, AfD siguron 39 vende në parlamentin prej 83 mandatesh, vetëm tre më pak se shumica absolute. Tashmë partia po kërkon mbështetjen e forcave të tjera politike ose të deputetëve individualë për të formuar qeverinë.
Zv/kryetarja e grupit parlamentar të AfD-së, Beatrix von Storch, tha për BBC se rezultati duhet të pranohet nga partitë rivale.
“Nuk mund të thuash se nuk e pranon votën e popullit”, deklaroi ajo, duke shtuar se “demokracia kërkon” që partitë të ulen dhe të bisedojnë.
Edhe kreu i AfD-së në Saksoni-Anhalt, Ulrich Siegmund, e cilësoi rezultatin si një “mandat të qartë për të qeverisur”.
Goditjen më të fortë e ka marrë CDU-ja e kancelarit Friedrich Merz, e cila ra në 17.2% të votave. Merz tha se ishte “thellësisht i tronditur” dhe e cilësoi rezultatin “sizmik”, jo vetëm për Gjermaninë, por edhe për partinë e tij.
Nëse AfD arrin të marrë drejtimin e landit, do të ishte hera e parë që një parti e ekstremit të djathtë do të kontrollonte një qeveri rajonale në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.
AfD po përpiqet të gjejë një rrugë drejt shumicës, megjithëse shumica e partive gjermane vazhdojnë të refuzojnë bashkëpunimin me të. Një nga skenarët e diskutuar është mbështetja e mundshme nga BSW për një qeveri minorance.
Rezultati ka marrë jehonë edhe jashtë Gjermanisë. Donald Trump publikoi në Truth Social një pamje të rezultateve, ndërsa i dërguari rus Kirill Dmitriev e përshëndeti fitoren e AfD-së si “historike”.






