
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një tekst të gjatë dhe tejet kritik ndaj mënyrës se si funksionon debati publik, politika dhe komunikimi në rrjetet sociale, duke e cilësuar hapësirën publike si një “sistem kanalesh të ujërave të zeza”.
Rama sqaron që në krye të postimit se teksti nuk është shkruar prej tij, por nga Brooks Williams, administrator i qytetit Ferris në Teksas, SHBA. Megjithatë, kryeministri shprehet se është një nga ato raste kur do të dëshironte ta kishte shkruar vetë.
“Lexojini se do të gjeni shumë fytyra, zëra dhe mashtrime e dyfytyrësira nga jeta e përditshme para pasqyrave teknologjike”, shkruan Rama.
Teksti që ai shpërndan godet ashpër atë që përshkruhet si një industri e ndërtuar mbi shtrembërimin e informacionit, poshtërimin, panikun dhe zemërimin.
Sipas autorit, videot e prera, titujt e fabrikuar dhe akuzat e fryra përdoren për të prodhuar reagime dhe klikime, ndërsa kundërshtari shndërrohet në një armik që duhet sulmuar.
“Një mospajtim nuk lejohet më të mbetet thjesht një mospajtim. Dikush duhet patjetër të jetë i korruptuar, i paaftë, mashtrues, i kapur ose pjesë e ndonjë konspiracioni të hatashëm”, thuhet në tekstin e shpërndarë nga Rama.
Mesazhi ndalet veçanërisht te trajtimi i zyrtarëve dhe nëpunësve publikë, duke argumentuar se shërbimi ndaj publikut nuk duhet të nënkuptojë pranimin e një abuzimi pa kufi.
Një nga pasazhet më të forta lidhet drejtpërdrejt me politikën dhe përdorimin e dezinformimit për të nxitur urrejtjen.
“Nëse politika e tyre ka nevojë për gënjeshtra që të marrë frymë, ajo meriton të mbytet. Nëse lëvizja e tyre ka nevojë t’i zhveshë njerëzit nga njerëzorja për të mbijetuar, ajo e ka vendin në kanalin e ujërave të zeza”, thuhet në tekst.
Rama nuk përmend me emër kundërshtarë politikë apo media konkrete, por duke e shpërndarë të plotë tekstin dhe duke deklaruar se do të donte ta kishte shkruar vetë, ai identifikohet hapur me mesazhin e tij kundër manipulimit, gjuhës së urrejtjes dhe asaj që përshkruhet si kthimi i politikës në një industri zemërimi dhe klikimesh.






