
I dërguari special i Presidentit të SHBA-së për Partneritetet Globale, Paolo Zampolli, ka komentuar nga Tirana projektin për krijimin e një shteti sovran bektashi, duke theksuar se vendimi u takon shqiptarëve.
Zampolli po zhvillon një vizitë në Shqipëri, gjatë së cilës ka zhvilluar takime me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, si dhe ka vizituar Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
I pyetur për idenë e “Shtetit Bektashi”, të prezantuar më herët nga kryeministri Edi Rama, Zampolli deklaroi se komuniteti ndërkombëtar duhet të respektojë vullnetin e shqiptarëve.
“Kam dëgjuar për këtë që ka folur kryeministri. Njerëzit tuaj vendosin ose do të vendosin dhe besoj se komuniteti ndërkombëtar do të respektojë vendimin e njerëzve në Shqipëri. Nëse populli e do këtë, është gjë e mirë, por populli duhet të flasë”, deklaroi Zampolli.
Gjatë vizitës në Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, ku u prit nga Baba Mondi në 35-vjetorin e rihapjes së selisë, në fokus ishte edhe projekti për ngritjen e një qendre të avancuar shëndetësore përmes një investimi amerikan.
Zampolli e vlerësoi këtë nismë, ndërsa foli pozitivisht edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Vizita e tij në Tiranë vjen në një moment kur projekti për një entitet sovran bektashi është rikthyer në qendër të debatit publik.






