
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet për një tjetër fraksion të dosjes “Metamorfoza”, duke dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme nëntë të pandehur.
Mes tyre janë i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, Ervis Martinaj, i zhdukur që prej gushtit 2022, si edhe Prekë Kodra, Aleks Ndreka, i njohur si “Leksi i Druve”, dhe persona të tjerë të lidhur me grupin kriminal “Bajri”.
Sipas SPAK, hetimi lidhet me vrasjen e Gjin Boricit Ndoj në Vaun e Dejës në vitin 2020, ndërsa të pandehurit akuzohen edhe për sigurimin e kushteve për vrasjen e Ibrahim Licit, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Kleant Musabelliut.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim”, “grup të strukturuar kriminal”, “sigurim të kushteve dhe mjeteve për kryerjen e vrasjes”, si dhe vepra të tjera penale.
Dosja do t’i nënshtrohet shortit elektronik në GJKKO për caktimin e gjyqtarit të seancës paraprake. “Metamorfoza”, dosja e parë e ndërtuar nga SPAK mbi komunikimet e platformës së koduar Sky ECC, është ndarë në disa fraksione, ndërsa një pjesë e çështjeve janë gjykuar dhe të tjerat vijojnë në proces.
Të pandehurit e dërguar për gjykim:
- Ervis Martinaj
- Denis Brajoviq
- Klaodor Hakaj
- Prekë Kodra
- Aleks Ndreka (Leksi i Druve)
- Nuredin Dumani
- Eljon Hato
- Arsad Bashli
- Bardhyl Mavraj






