Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur poshtë pretendimet se protestat qytetare kanë ndikuar negativisht në sezonin turistik, duke akuzuar qeverinë se përgjegjësia bie mbi politikat ekonomike dhe qëndrimin ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha deklaroi se zhvlerësimi i euros, të cilën e quajti “narkoeuro”, ka rritur kostot për turistët dhe ka dëmtuar konkurrueshmërinë e Shqipërisë si destinacion turistik.

Sipas tij, ndikim negativ kanë pasur edhe, sipas pretendimeve të tij, vendimet e qeverisë ndaj përfaqësuesve politikë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dhe qytetarëve të Kosovës, duke shtuar se kjo ka sjellë rënie të prenotimeve.

Berisha u ndal edhe te situata në Theth, ku akuzoi kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e ndërtimeve në zonë.

“Ajo që i ka bërë Thethit nuk ia ka bërë asnjë pushtues. Për këtë do të japë llogari deri në minutën e fundit të jetës së tij politike”, u shpreh kreu i PD-së.

Në fund të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje demokratëve të mbështesin protestat kundër qeverisë, ndërsa kritikoi edhe vendimin për ndërprerjen e procesit të reformës territoriale.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu