Stuhia e fuqishme që goditi fillimisht Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut ka përfshirë edhe Shqipërinë, duke sjellë reshje të dendura shiu, erëra të forta dhe ulje të temperaturave pas ditëve me vapë ekstreme.

Dëmet më të mëdha janë raportuar në jug të vendit. Në Vlorë, erërat e forta rrëzuan pemë, dëmtuan çadra plazhi, tenda e karrige lokalesh, ndërsa në zonën e Lungomares disa prej tyre u morën nga era dhe përfunduan në rrugë. Pushuesit u larguan nga bregdeti për shkak të rrezikut.

Në Sarandë, stuhia rrëzoi disa pemë, ndërsa një pishë në zonën e stadiumit ra mbi tre automjete, duke shkaktuar dëme materiale. Fatmirësisht nuk raportohen persona të lënduar.

Probleme janë regjistruar edhe në qarkun e Kukësit, ku erërat e forta dhe shkarkesat elektrike shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në disa fshatra.

Ndërkohë, reshjet dhe erërat kanë përfshirë edhe Tiranën e Fierin, duke shënuar fundin e valës së të nxehtit që dominoi ditët e fundit.

Stuhia ka lënë pasoja të konsiderueshme edhe në vendet fqinje. Në Kosovë janë raportuar dëme materiale në disa komuna, ndërsa në Maqedoninë e Veriut të paktën tetë persona mbetën të lënduar në Shkup si pasojë e erërave të forta dhe rrëzimit të pemëve.

Sipas meteorologëve, moti do të mbetet më i freskët gjatë ditëve në vijim, me rënien më të ndjeshme të temperaturave që pritet të regjistrohet të premten.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu