
Bashkimi Europian ka vendosur t’i japë fund praktikës së shkatërrimit të rrobave dhe produkteve të tjera të modës që mbeten të pashitura. Nga 19 korriku hyn në fuqi një rregullore e re, e cila ndalon kompanitë e mëdha të sektorit tekstil të asgjësojnë veshjet, këpucët dhe aksesorët e rinj që nuk janë shitur.
Sipas Rregullores Europiane për Ekodizajnin (EU 2024/1781), këto produkte duhet të ridrejtohen drejt ripërdorimit, dhurimit, riciklimit ose formave të tjera të rikuperimit, me synim uljen e mbetjeve dhe zgjatjen e ciklit të jetës së tyre.
Për kompanitë e mesme, detyrimi do të hyjë në fuqi në vitin 2030, ndërsa bizneset e vogla përjashtohen nga kjo masë.
Vendimi është pjesë e strategjisë së BE-së për ta bërë industrinë e modës më të qëndrueshme, pasi sektori tekstil konsiderohet një nga ndotësit më të mëdhenj të mjedisit.
Praktika e shkatërrimit të mallrave të pashitura u bë e njohur në vitin 2018, kur kompania britanike Burberry pranoi se kishte asgjësuar produkte të pashitura me vlerë 28.6 milionë paund për të mbrojtur imazhin e markës. Pas kritikave të forta, kompania hoqi dorë nga kjo politikë.
Rregullorja e re detyron gjithashtu kompanitë të publikojnë çdo vit të dhëna mbi sasinë e produkteve të pashitura, mënyrën se si janë trajtuar dhe masat e marra për të shmangur shkatërrimin e tyre.
Sipas të dhënave të cituara nga organizata italiane e konsumatorëve Assoutenti, deri në 9% e produkteve tekstile të hedhura në treg në Bashkimin Europian shkatërrohen pa u përdorur asnjëherë. Kjo përkthehet në rreth 594 mijë ton tekstile në vit dhe rreth 5.6 milionë ton emetime të dioksidit të karbonit.






