
TIRANË – Protesta e ditës së 11-të kundër projektit të diskutueshëm në Zvërnec u shoqërua me thirrje për zgjerimin e lëvizjes qytetare dhe krijimin e një organizimi të ri politik përtej partive ekzistuese. Tubimi i zhvilluar para Kryeministrisë mblodhi aktivistë, qytetarë dhe përfaqësues të ndryshëm të shoqërisë civile, ndërsa në qendër të diskutimeve ishte propozimi për ngritjen e një Kuvendi Kombëtar.
Një qytetar nga Vlora bëri thirrje që organizatorët e protestës të dalin hapur dhe të ndërtojnë një strukturë përfaqësuese. “Ne duhet të ndërtojmë një sistem të ri. Të thërrasim një Kuvend Kombëtar dhe të bashkohemi në një tryezë përtej partive të vjetra dhe atyre që duken si të reja”, deklaroi ai para protestuesve.
Edhe banorja e Rrjollit, Luçjana Koka, e cila koordinoi aktivitetin e ditës, theksoi se protesta synon të mbetet e pavarur nga partitë politike. “Mos harrojmë thirrjen tonë: Rama në burg, Berisha në burg. Duhet të rezistojmë pa u përçarë”, u shpreh ajo.
Gjatë protestës u vunë re edhe figura të njohura pranë Partisë Demokratike, mes tyre ish-deputeti Ervin Salianji, Sali Lushaj dhe reperi Stresi. Prania e tyre shkaktoi tensione verbale me një pjesë të protestuesve, të cilët kundërshtuan çdo tentativë për ta identifikuar lëvizjen me një forcë politike të caktuar.
Mbështetje për protestën erdhi edhe nga analisti Kim Mehmeti, i cili në një mesazh të transmetuar gjatë tubimit deklaroi: “Ju jeni duke bërë atë që nuk e bëmë dot ne patriotët e studiove televizive. Mos u dorëzoni. Ju jeni heronjtë e mi.”
Një tjetër zë kritik ishte ish-luftëtari i UÇK-së, Meçan Zotaj, i cili akuzoi qeverinë për presion ndaj protestuesve dhe deklaroi se “kërcënimet e qeverisë na bëjnë më të fortë dhe më të qëndrueshëm”.
Protesta përkoi me 148-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Disa pjesëmarrës firmosën një pankartë me mbishkrimin “Lidhja është gjallë”, duke e krahasuar mobilizimin aktual qytetar me bashkimin kombëtar të vitit 1878.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës, duke bllokuar përkohësisht disa akse dhe duke përsëritur kërkesat për ndryshime politike, mbrojtjen e zonave të mbrojtura dhe rishikimin e projektit në Zvërnec.



