Kryeministri Edi Rama u shfaq në Shkodër me një bluzë ku dominonte figura e një flamingoje rozë, simbol që prej ditësh është vendosur në qendër të debatit politik për projektin turistik në Zvërnec.

Përtej simbolikës së veshjes, Rama dha edhe disa mesazhe politike, duke iu përgjigjur kritikëve të investimit dhe protestave që po zhvillohen kundër tij.

Ai ironizoi protestuesit dhe kundërshtarët e projektit, duke deklaruar se flamingot janë kthyer në një temë politike kombëtare.

“Po të kishin gojë dhe të flisnin flamingot që këta po i dalin për zot, do të tregonin historinë e tyre të hidhur”, tha Rama.

Kryeministri këmbënguli se flamingot nuk janë specie që rrezikohen nga zhvillimi i zonës dhe shtoi se ato janë zogj shtegtarë që lëvizin në vende të ndryshme.

Një tjetër mesazh i fortë ishte se qeveria nuk do të tërhiqet nga projektet e zhvillimit ekonomik për shkak të protestave.

Rama deklaroi se Shqipëria nuk mund të mbetet peng e “frikës, dezinformimit dhe teorive konspirative”, duke iu referuar pretendimeve se investimi do të dëmtojë zonat e mbrojtura.

Ai sulmoi gjithashtu analistë, aktivistë dhe influencues që, sipas tij, po ushqejnë klimën kundër investimit dhe kundër qeverisë.

Në fjalimin e tij, kreu i qeverisë përsëriti objektivin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade dhe tha se mazhoranca do të vazhdojë reformat pavarësisht sulmeve politike.

Pikërisht në këtë kontekst, bluza me flamingon u pa si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë ndaj asaj që protestuesit e kanë quajtur “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa Rama e përdori simbolin për të treguar se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga projektet që qeveria i konsideron strategjike për zhvillimin e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu