
Kryeministri Edi Rama reagoi mbrëmjen e së shtunës përmes një postimi të gjatë në rrjetin social X, ku iu drejtua mediave ndërkombëtare, përfshirë CNN, lidhur me pasqyrimin e protestave kundër investimit turistik në Zvërnec.
Rama deklaroi se protesta e zhvilluar sot ka mbledhur rreth 2 mijë pjesëmarrës, duke e cilësuar si pjesëmarrjen më të ulët deri tani, ndërsa shtoi se edhe në kulmin e saj protesta nuk ka kaluar shifrën e 8 mijë personave.
“Si mund të transformohet një protestë lokale me disa mijëra njerëz në një spektakël ndërkombëtar?”, pyet Rama në reagimin e tij, duke ngritur shqetësime mbi mënyrën se si, sipas tij, realiteti në terren është paraqitur në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale.
Kryeministri theksoi se aktualisht nuk ekziston një projekt përfundimtar për zhvillimin në zonë, nuk ka leje ndërtimi dhe as punime të nisura, por vetëm një vizion dhe plan për zhvillimin e turizmit elitar dhe përmirësimin e mjedisit.
“Ka vetëm një vizion dhe një plan: ta transformojmë Shqipërinë në destinacionin më tërheqës të turizmit elitar në këtë pjesë të botës, duke krijuar një zhvillim mjedisor me bilanc pozitiv”, shkruan ai.
Rama thekson se çdo projekt i ardhshëm do t’i nënshtrohet vlerësimeve shkencore, shqyrtimit publik dhe debatit transparent, ndërsa kundërshton pretendimet se po ndodh një katastrofë mjedisore.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë paralajmëron edhe për atë që e cilëson si “histeri digjitale”, duke folur për video të manipuluara me inteligjencë artificiale, profile anonime dhe rrjete që, sipas tij, kanë ndikuar në amplifikimin e debatit publik.
Ai pretendon se në rrjetet sociale është regjistruar një rritje e pazakontë e aktivitetit në gjuhën shqipe, e nxitur jo vetëm nga pjesëmarrja organike e qytetarëve, por edhe nga llogari të krijuara rishtazi dhe profile anonime.
Një tjetër element që Rama veçon është ngatërrimi, sipas tij, mes ishullit të Sazanit dhe pronës private në territorin kontinental ku parashikohet zhvillimi i projektit.
“Mospajtimi është legjitim. Kritika është legjitime. Shqetësimet mjedisore janë legjitime. Ajo që nuk është legjitime është zëvendësimi i fakteve me supozime”, shkruan kryeministri.
Në fund të reagimit, Rama paralajmëron për rreziqet që, sipas tij, sjell manipulimi i informacionit në epokën digjitale, duke e krahasuar atë me një kërcënim ndaj vetë themeleve të demokracive moderne.
“Shqipëria do ta kalojë edhe këtë. Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë për ta transformuar vendin në një destinacion të shkëlqyer të turizmit elitar dhe një demokraci më të fortë”, përfundon ai.






