Një protestues i ardhur nga Kosova iu bashkua këtë të shtunë tubimit të mbajtur para Kryeministrisë në Tiranë, ku mijëra qytetarë u mblodhën për të protestuar kundër projektit turistik në Zvërnec.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se nuk mund të qëndronte indiferent dhe kishte ardhur për t’iu bashkuar shqiptarëve në mbrojtje të interesave kombëtare. Protestuesi ironizoi etiketimet që, sipas tij, u janë bërë pjesëmarrësve në protestë, duke i quajtur ata “iranianë” dhe “grekë”.

“Na thanë grekë, na thanë iranianë. Këta janë ramoviçët e berishoviçët. Klasa e vjetër politike duhet të largohet dhe t’u hapë rrugë të rinjve. Këta e kanë shitur vendin nga jugu deri në trojet shqiptare”, u shpreh ai.

Në vijim, protestuesi dha një mesazh të drejtpërdrejtë për kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar bashkëpunim më të ngushtë me Kosovën.

“Ne kemi kryeministrin tonë në Kosovë. Nuk përkrah asnjë parti, por kryeministri i Shqipërisë duhet të bashkëpunojë me Albin Kurtin dhe jo me serbët. Pa këtë bashkëpunim nuk ka vazhdimësi për kombin shqiptar”, deklaroi ai.

Edhe një protestues tjetër i pranishëm në tubim tha se tokat shqiptare nuk duhet të shiten dhe se shqiptarët e diasporës janë të gatshëm të kontribuojnë për zhvillimin e vendit.

“Kemi ardhur nga jashtë me dijet dhe përvojën tonë për të ndërtuar Shqipërinë. Kjo tokë u përket shqiptarëve dhe jo tradhtarëve. Ne e dimë kush kërkon të marrë tokat shqiptare dhe do t’i kundërshtojmë”, tha ai.

Protesta para Kryeministrisë u zhvillua në kuadër të kundërshtimeve ndaj projektit turistik në zonën e Zvërnecit, ndërsa organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit edhe në ditët në vijim.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu