
Një ankand i veçantë me sende personale të Marilyn Monroe ka tërhequr vëmendjen e koleksionistëve dhe admiruesve të ikonës së Hollivudit, në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së saj.
Ankandi, i organizuar nga Julien’s Auctions, përfshin 185 objekte që i përkisnin aktores dhe modeles legjendare, mes tyre fustane mbrëmjeje, produkte kozmetike, fotografi të papublikuara më parë dhe sende personale të përdorura nga Monroe.

Ndër objektet më të vlefshme është një çantë cilindrike e viteve 1950 me ngjyrë ari, e vlerësuar deri në 100 mijë dollarë. Brenda saj ruhen ende një krehër i vogël flokësh, një buzëkuq, tetë cigare Philip Morris dhe monedha të viteve 1940. Deri tani, oferta më e lartë për këtë send ka arritur në 70 mijë dollarë.
Në ankand janë përfshirë edhe produkte grimi të përdorura nga Monroe, përfshirë buzëkuqë, pudra dhe laps sysh, të cilat vazhdojnë të ngjallin interes të madh, sidomos mes përdoruesve të rrjeteve sociale që përpiqen të rikrijojnë stilin e saj të famshëm.
Një tjetër objekt që ka tërhequr vëmendje është një reçipetë e viteve 1950, e trashëguar nga trajnerja e saj e aktrimit Paula Strasberg. E vlerësuar fillimisht me rreth 1 mijë dollarë, ajo ka marrë dhjetëra oferta dhe ka arritur vlerën e 7 mijë dollarëve.
Ankandi përfshin gjithashtu fotografi të rralla dhe të papublikuara më parë nga sesione fotografike të Monroe, të firmosura nga fotografë të njohur si Allan Grant dhe Milton Greene.
Interes të madh ka zgjuar edhe porta prej druri e shtëpisë së vetme që Marilyn Monroe zotëroi ndonjëherë, në lagjen luksoze Brentwood të Los Anxhelosit. Objekti ka arritur ofertën prej 15 mijë dollarësh, ndonëse aktorja kishte paguar vetëm rreth 100 dollarë për të në vitin 1962.
E lindur më 1 qershor 1926 me emrin Norma Jeane Mortenson, Monroe u bë një nga figurat më të famshme të kinemasë amerikane, me filma të njohur si “Some Like It Hot” dhe “Niagara”. Ajo ndërroi jetë në vitin 1962, në moshën 36-vjeçare, por mbetet një nga ikonat më të njohura të kulturës popullore botërore.



