
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë për mungesë totale transparence lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, duke pretenduar se pas konfliktit për pronat qëndrojnë figura të lidhura me pushtetin.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha deklaroi se qytetarët janë revoltuar për shkak të mungesës së informacionit mbi projektin, ndërsa akuzoi qeverinë se nuk ka bërë publike dokumentet kryesore të investimit.
“Si ka mundësi që asnjë deputet, asnjë qytetar i Vlorës apo i Shqipërisë nuk dinë absolutisht asgjë për këtë investim disa miliardësh?”, u shpreh Berisha.
Ai pretendoi se problemet me pronësinë e tokave nuk janë zgjidhur dhe hodhi akuza direkte ndaj ish-kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, Engjëll Agaçi.
“E di cili është Gjoni nga Mirdita? Është Pjerini nga Lezha. Është Agaçi nga Berati”, deklaroi Berisha, duke i lidhur ata me përvetësimin e tokave në zonën e Karaburunit dhe Zvërnecit.
Sipas kreut të PD-së, qeveria nuk ka paraqitur asnjë studim mjedisor, asnjë analizë strategjike dhe asnjë dokument publik mbi ndikimin që do të ketë projekti në zonën e mbrojtur.
“A keni parë ju ndonjë studim të mjedisit? Ndonjë studim strategjik të mjedisit? Zero keni parë. S’ka transparencë, zero”, tha ai.
Berisha argumentoi se çdo investim në një zonë të mbrojtur duhet të respektojë direktivat europiane Natura 2000 dhe paralajmëroi se shkelja e tyre mund të ndikojë edhe në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Kreu i opozitës tha se banorët e zonës janë përballur me tela me gjemba dhe kufizime në pronat e tyre, ndërsa mbështeti protestat kundër projektit.
“Ata u gdhinë një ditë dhe e panë veten të rrethuar me tela me gjemba”, deklaroi Berisha.
Në fund të fjalës së tij, ai akuzoi qeverinë se po organizon kundërprotesta dhe e krahasoi situatën në Shqipëri me zhvillimet në Serbi.
“Mafie, mafie dhe vetëm mafie jeni. Njëlloj si Beogradi”, u shpreh Berisha, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të kundërmitingjeve dhe transparencë të plotë për projektin në Zvërnec.






