
Një hetim i autoriteteve amerikane ka ngritur alarmin për sigurinë kibernetike në Shqipëri, pasi të dhëna sensitive të qytetarëve dyshohet se janë nxjerrë në shitje në tregjet ilegale online.
Sipas dokumenteve të një gjykate federale në SHBA, një agjent i FBI-së nën mbulim ka arritur të blejë një databazë që përmbante të dhëna personale të shqiptarëve, përfshirë numra identifikimi, emra, data lindjeje dhe adresa.
Të dhënat dyshohet se janë marrë nga sisteme shtetërore, përfshirë platforma digjitale dhe regjistra të kartave të identitetit, ndërsa shitja është bërë kundrejt pagesave në kriptomonedhë.
Hetimet lidhen me grupin “Homeland Justice”, i cili më herët është përfshirë në sulme kibernetike ndaj infrastrukturës digjitale shqiptare. Sipas autoriteteve amerikane, ky grup dyshohet të ketë lidhje me struktura të inteligjencës iraniane, megjithëse disa ekspertë shqiptarë shprehin dyshime mbi këtë lidhje.
Ekspertët paralajmërojnë se rrjedhja e këtyre të dhënave përbën rrezik serioz afatgjatë, pasi mund të përdoren për vjedhje identiteti, mashtrime financiare dhe shantazh.
Ata theksojnë se, edhe pse sulmet kanë ndodhur më herët, fakti që të dhënat vazhdojnë të qarkullojnë do të thotë se rreziku mbetet aktual.
Ndërkohë, institucionet shqiptare nuk kanë dhënë ende një reagim të plotë mbi përmasat e dëmit, ndërsa ekspertët kërkojnë masa më të forta për mbrojtjen e sistemeve dhe informimin e qytetarëve.






