Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për emigrantët është ekskluzive dhe nuk do të përsëritet me vende të tjera europiane.

Në një intervistë për median italiane, Rama theksoi se pas miratimit të saj, shumë vende kanë shprehur interes për marrëveshje të ngjashme, por sipas tij, kjo marrëveshje mbetet unike vetëm për Italinë.

Ai vlerësoi gjithashtu kryeministren italiane Giorgia Meloni, duke e cilësuar si një lidere me vizion të qartë strategjik për marrëdhëniet mes dy vendeve.

Rama u ndal edhe te zhvillimi ekonomik, duke theksuar se investimet e huaja direkte janë rritur ndjeshëm, nga rreth 400 milionë euro në mbi 1.5 miliardë euro, ndërsa Shqipëria po avancon në modernizimin institucional dhe reformën në drejtësi.

Sa i përket shërbimeve publike, ai theksoi se shumica e proceseve janë tashmë të dixhitalizuara, ndërsa synimi është që deri në vitin 2028 të përfundojë plotësisht transformimi dixhital i administratës.

Një nga risitë e prezantuara është edhe asistenti virtual “Diella”, i bazuar në inteligjencë artificiale, që sipas Ramës po ndihmon qytetarët në marrjen e shërbimeve dhe pritet të përdoret edhe në prokurimet publike për rritjen e transparencës.

Në fund, Rama theksoi se marrëdhëniet me Italinë kanë hyrë në një fazë të re, me projekte konkrete në fusha si energjia, infrastruktura dhe industria detare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu