
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të protestave të opozitës, duke mos përjashtuar as ngujimin para Kryeministrisë dhe forma të tjera radikale si greva e urisë.
Në një komunikim me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha theksoi se opozita do të shqyrtojë “të gjitha format e protestës”, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama, të cilën e akuzoi si “narkoregjim”.
Ai denoncoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve gjatë tubimit të fundit, duke paralajmëruar se do të depozitohen padi në Prokurori ndaj policisë për atë që e cilësoi “sjellje shtazarake”.
Sipas Berishës, gjatë protestës janë përdorur mjete të rrezikshme si sprej irritues, kapsolla dhe bomba shurdhuese, ndërsa akuzoi efektivët për ndërhyrje të ashpër ndaj qytetarëve dhe deputetëve.
Në vijim, lideri demokrat hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Rama për lidhje me kartelet e drogës dhe ndikim në ekonominë e vendit, duke përmendur edhe çështje si rritja e çmimeve dhe zhvillimet në sektorin e ndërtimit.
Deklaratat e Berishës pritet të rrisin tensionin politik në vend, ndërsa mbetet për t’u parë reagimi i institucioneve dhe zhvillimet e mëtejshme në terren.






