
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në samitin e katërt “Në mbrojtje të Demokracisë”, që u zhvillua në Barcelonë, me ftesë të homologut spanjoll Pedro Sánchez.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi Sánchez si një “udhëheqës të mençur dhe kurajoz”, si dhe një “mik të vyer”, duke theksuar se është privilegj bashkëbisedimi me të.
Gjatë samitit, liderët u fokusuan në çështje kyçe globale si multilaterizmi, dezinformimi dhe ndikimi i teknologjisë digjitale në demokraci.
Në kuadër të vizitës në Spanjë, Rama pritet të zhvillojë edhe një takim me presidentin e Këshillit Europian, António Costa.
Një ditë më parë, kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një takim edhe me Dhomën e Tregtisë së Katalonjës, ku theksoi rritjen e interesit të turistëve spanjollë për Shqipërinë dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.






