
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës me rastin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), vlerësoi sakrificën historike të familjes Jashari dhe rolin e saj në rrugën drejt lirisë së Kosovës.
Osmani theksoi se muaji mars i vitit 1998 ishte moment vendimtar për historinë e Kosovës, kur qëndresa e familjes Jashari në Prekaz u kthye në simbol të sakrificës dhe heroizmit.
“Muaji mars ishte muaji i përballjeve që vendosën drejtimin e historisë tonë. Pikërisht më 5, 6 dhe 7 mars 1998, në zemër të Prekazit, historia jonë mori drejtim të ri. Këtu qëndresa, sakrifica, heroizmi dhe e ardhmja jonë u vunë në një vend”, deklaroi ajo.
Presidentja theksoi se komandanti legjendar Adem Jashari, së bashku me familjen e tij, zgjodhën sakrificën për liri përballë forcave serbe.
“Në bedena të kullave të Prekazit qëndroi komandanti legjendar Adem Jashari bashkë me familjen e tij, duke zgjedhur sakrificën përpara përkuljes, lirinë para frikës dhe mbi të gjitha nderin para jetës”, u shpreh Osmani.
Ajo shtoi se tri ditët e marsit të vitit 1998 u shndërruan në simbol të epopesë dhe të sakrificës që mobilizoi një komb të tërë.
“Në ato tri ditë, 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Këtu krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por thirrje për liri. Ky ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe gjithë kombin”, tha presidentja.
Osmani nënvizoi gjithashtu se Epopeja e UÇK-së nisi nga Prekazi dhe u kthye në një lëvizje popullore për çlirim.
“Epopeja është epike sepse buroi nga populli. Pragu i kullave në Prekaz ishte baza e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta që bëri UÇK-ja ishte jo vetëm e drejtë, por edhe e domosdoshme”, theksoi ajo.
Në përfundim, presidentja vlerësoi sakrificën e familjes Jashari dhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë për çlirimin e Kosovës.
“Familja Jashari vazhdon të jetojë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun. Sa herë që dikush dyshon në forcën e këtij populli, mjafton të përmendë një emër: Adem Jashari dhe familja Jashari”, përfundoi Osmani.






