Çmimi i naftës ka nisur të rritet në disa pika të shitjes me pakicë në Tiranë, duke arritur deri në 179 lekë për litër, rreth 4 lekë më shumë se disa ditë më parë shkruan Monitor.

Rritja e çmimit në tregun vendas vjen pas ndryshimeve në bursat ndërkombëtare të naftës, të ndikuara nga tensionet dhe sulmet e fundit në vendet e Lindjes së Mesme.

Sipas vëzhgimeve në treg, shtrenjtimi ka nisur të reflektohet që prej ditës së djeshme në disa pika karburanti në kryeqytet, ndërsa në disa të tjera çmimet kanë mbetur ende të pandryshuara.

Në një pikë karburanti në zonën e Xhamllikut, çmimi i naftës ka arritur në 179 lekë për litër, nga 175 lekë që ishte më parë. Ndërkohë çmimi i benzinës ka mbetur i pandryshuar në nivelin 179 lekë për litër.

E njëjta rritje është reflektuar edhe në një tjetër pikë karburanti në zonën e Bërrylit, ku punonjësit kanë konfirmuar se ndryshimi i çmimit ka nisur që nga dita e djeshme.

Ndërkohë, në disa kompani të tjera të karburanteve në kryeqytet çmimet nuk kanë ndryshuar ende. Në disa pika nafta vijon të tregtohet rreth 175 lekë për litër, ndërsa në disa të tjera rreth 178 lekë për litër.

Shoqata e Hidrokarbureve ka paralajmëruar se rritja e çmimeve në bursat ndërkombëtare pritet të reflektohet edhe më shumë në tregun vendas, duke paralajmëruar një shtrenjtim të mundshëm prej 10 deri në 20 lekë për litër në ditët në vijim.

Në bursat ndërkombëtare, çmimi i naftës ka arritur rreth 83 dollarë për fuçi, nga rreth 65 dollarë për fuçi që ishte para përshkallëzimit të konfliktit në Iran.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu