Sheshi “Nënë Tereza”, një nga hapësirat publike më të rëndësishme dhe historike të kryeqytetit, pritet t’i nënshtrohet një transformimi të madh urban dhe kulturor. Qeveria ka hapur zyrtarisht rrugën për projektin e rehabilitimit të këtij sheshi, i cili parashikon ndërtimin e një muzeu arkeologjik nëntokësor dhe një parkimi të ri nëntokësor.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe synon t’i japë një dimension të ri sheshit monumental, duke ndërthurur ruajtjen dhe ekspozimin e trashëgimisë kulturore me zgjidhjet praktike për infrastrukturën dhe trafikun në Tiranë.

Për realizimin e këtij projekti është mandatuar Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), i cili do të jetë autoriteti kontraktor dhe njësia zbatuese e projektit. Ky institucion do të ketë përgjegjësinë për menaxhimin e gjithë procesit, duke përfshirë procedurat e prokurimit, hartimin e projektit, zbatimin e punimeve dhe mbikëqyrjen e tyre.

FSHZH do të ndjekë gjithashtu procedurat për pajisjen me leje zhvillimi dhe ndërtimi pranë institucioneve përkatëse, duke vepruar në emër të institucioneve publike përfituese.

Për shkak të natyrës së projektit, që prek urbanistikën, trashëgiminë kulturore dhe infrastrukturën e qytetit, parashikohet bashkëpunimi mes tre institucioneve kryesore: Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Bashkisë së Tiranës.

Këto institucione pritet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për të garantuar që rehabilitimi i sheshit, si dhe funksionimi i muzeut dhe parkimit nëntokësor, të realizohen në përputhje me vizionin urban dhe kulturor të kryeqytetit.

Sipas vendimit të qeverisë, projekti do të financohet nga buxheti i miratuar i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, pa nevojën e burimeve të reja financiare apo kredive të jashtme, çka pritet të përshpejtojë nisjen e procedurave për zbatimin e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu