
Çmimi i bukës në qytetin e Korçës ka pësuar një rritje të ndjeshme gjatë ditëve të fundit, duke arritur deri në 150 lekë për një bukë masive, duke shqetësuar qytetarët që e konsiderojnë këtë një rritje të papritur raporton Oranews.
Sipas konsumatorëve, vetëm pak ditë më parë buka tregtohej me rreth 120 lekë, ndërsa aktualisht çmimi varion nga 140 deri në 150 lekë, në varësi të furrës së bukës dhe llojit të produktit.
Qytetarët shprehen se janë përballur papritur me rritjen e çmimit në pikat ku furnizohen çdo ditë, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e kostos së produkteve bazë.
Rritja e çmimit vjen pak kohë pas shembjes së aksit Librazhd-Prrenjas, ngjarje që ka shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin dhe furnizimin me mallra në zonën e juglindjes së vendit.
Pronarë të disa furrave të bukës kanë deklaruar se rritja e çmimit nuk lidhet me ndryshimin e çmimit të miellit, por me rritjen e kostove të tjera, si transporti dhe energjia elektrike.
Sipas tyre, devijimi i rrugëve dhe vështirësitë në transport kanë shtuar shpenzimet e furnizimit, çka është reflektuar drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar të bukës për konsumatorët.



